Gjykata Themelore e Prishtinës - Foto: KALLXO.com

Gjykimi për Vjedhjet në Depon e Makinave të Sekuestruara

Enver Krasniqit, ish-drejtorit të Agjencisë për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar iu lexua sot aktakuza nga prokurorja Dulina Hamiti, ndërsa pas këtij leximi, kryetari i trupit gjykues Arben Hoti, e pyeti të akuzuarin në lidhje me fajësinë a pafajësinë e tij.

Krasniqi, duke iu përgjigjur pyetjes së Hotit, tha se e ka kuptuar aktakuzën dhe ndihet plotësisht i pafajshëm në lidhje me akuzën për shpërdorim detyre.

Enver Krasniqi akuzohet nga Prokuroria në Prishtinë se si drejtor i  Agjencisë për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar nuk e lajmëroi vjedhjen e një baterie të një makine që mbahej e sekuestruar në parkingun e depos së Llukarit.

Sipas aktakuzës, në këtë depo që është në administrim të Agjencisë për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar nga persona të panjohur ishte vjedhur bateria në veturën e markës “Lupo 3L”.

Në aktakuzë thuhet gjithashtu se Enver Krasniqi edhe pse ishte informuar nga administratori Fisnik Krasniqi për mungesën e një sasie të cigareve në depon e lartcekur, nuk kishte formuar komisionin për verifikimin e mallit.

Kryetari i trupit gjykues Arben Hoti, seancën  e radhës për kundërshtimin e aktakuzës e caktoi  më 19 janar 2017.