Ministria inicion procedurë disiplinore ndaj drejtorit të Agjencisë për Administrimin e Pasurisë së Konfiskuar

Ministria e Drejtësisë ka iniciuar procedurë disiplinore ndaj drejtorit të përgjithshëm të Agjencisë për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar ose të Konfiskuar.

Kështu ka bërë të ditur ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, përmes një publikimi në Facebook.

“Në këtë drejtim, nesër do të dorëzojmë shkresën me të cilën do ta njoftojmë Sekretariatin Koordinues të Qeverisë në kuadër të Zyrës së Kryeministrit, lidhur me shkeljet ligjore nga drejtori i përgjithshëm i AAPSK”, ka shkruar Haxhiu.

Ministrja duke arsyetur këtë masë, kanë thënë se kanë identifikuar prova të pakontestueshme për shkelje serioze nga ana e zyrtarit në fjalë.

“Këtë procedurë e ndërmorëm për faktin se: – Që nga përzgjedhja e tij e deri më sot, kemi identifikuar prova të pakontestueshme të cilat na bindin se inicimi i procedurës disiplinore për shkelje serioze, fillimisht do të rezultojë me sanksion disiplinor në përputhje me legjislacionin në fuqi”, thuhet në publikimin e saj.

Haxhiu ka shtuar se nuk do tolerojnë asnjë shkelje përbrenda Ministrisë.

“Siç e kemi thënë në Ministrinë e Drejtësisë dhe në secilin institucion tjetër do të instalohen parimet e ligjshmërisë, transparencës, përgjegjësisë, jodiskriminimit, efikasitetit e pavarësisë profesionale”, ka theksuar ajo.

Sipas ueb faqes së Ministrisë së Drejtësisë, Agjencia për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar dhe të Konfiskuar si mision ka bashkëpunimin me organet e drejtësisë, në mënyrë që ta luftojë krimin e organizuar dhe korrupsionin në Republikën e Kosovës, duke kryer funksionet e saja me qëllim që të ofrojë administrim të leverdishëm dhe profesional të pasurisë dhe të zhvillojë këto funksione me integritet dhe transparencë .

Objektivi kryesor i Agjencisë thuhet se është të bëhet qendër profesionale në administrimin e pasurisë së sekuestruar dhe të konfiskuar.