Ilustrim

KIPRED: Pastrimi i Parave i Trashëguar nga Viti ‘99

Instituti Kosovar për Kërkime dhe Zhvillim të Politikave (KIPRED) dhe OJQ-ja Syri i Vizionit (SiV) prezantuan të gjeturat kryesore rreth pastrimit të parave në Kosovë

Duke paraqitur raportin në tryezën me temën “Reagimi ndaj Pastrimit të Parave në Kosovë: Në Mes të Politikave dhe Praktikës”, Ariana Qosaj- Mustafa nga KIPRED-i tha se pastrimi i parave është dukuri shumë e përhapur në vend që është trashëguar nga viti 1999 dhe shpesh ndërlidhet me korrupsionin e nivelit të lartë.

Ajo bëri të ditur se vendi ka treguar progres të kufizuar në luftën kundër pastrimit të parave dhe se sfidë për Kosovën mbetet ofrimi i statistikave të besueshme dhe numri i dënimeve përfundimtare.

Përfaqësuesi i zyrës së BE-së në Kosovë, Libor Chlad tha se gjykatat në vitin 2015 arritën ta zgjidhin vetëm një çështje të lidhur me pastrim parash.

“Nga të dhënat, numri i lëndëve që kanë të bëjnë me pastrim të parasë është në rritje, por që në gjykatë vetëm një rast ka arritur që të zgjidhet për vitin 2015”, tha Chlad.

Sipas tij dukuria e pastrimit të parave po i ndihmon veprimtarisë kriminale, po dobëson ekonominë dhe ka një kosto të lartë për shoqërinë.

Veton Muja nga “Syri i Vizionit, tha se raporti është bërë për t’u ndihmuar institucioneve që ta luftojnë pastrimin e parave.

“Ky raport nxjerr në pah sfidat kryesore që e preokupojnë dhe me të cilat ballafaqohet vendi ynë, me ndikim të drejtpërdrejt në zvogëlimin e rrezikut të kësaj dukurie që është e përhapur në Kosovë. Pra, ky raport do të duhej t’i nxisë autoritetet dhe të gjitha palët tjera të interesuara që të punojnë dhe në zhvillimin ekonomik dhe është e domosdoshme që të ndërmerren masa në parandalimin e krimit të organizuar dhe të kësaj dukurie,” tha Muja.

Fadil Bunjaku nga Agjencia për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar ose të Konfiskuar, pohoi se afatet ligjore për këto raste nuk merren parasysh, mirëpo kur ka të bëjë me shuma të mëdha reagimi është i shpejtë.

Ai tha se kjo agjenci nën administrim i ka 30 milionë euro, ndërsa tregoi se vitin e kaluar agjencia sekuestroi më pak se 1 milion euro para të gatshme.

Ehat Miftaraj nga Instituti i i Kosovës për Drejtësi, tha edhe pse Kosova ka ligjet më të avancuara sa i përket shpëlarjes së parasë dhe financimit të terrorizmit, zbatimi i tyre nuk po jep rezultate konkrete.