Qeveria e Kosovës. Foto: Arjana Berisha, KALLXO.com

Qeveria e Kosovës: Nuk kemi ndonjë njoftim zyrtar për sanksione, çfarëdo mase do të ishte e padrejtë

Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu ka thënë se nuk kanë ndonjë njoftim zyrtar për sanksione nga Bashkimi Evropian.

Sipas tij, Qeveria e Kosovës vazhdon të besojë që çfarëdo mase ndaj Kosovës do të ishte e padrejtë.

Ne nuk kemi ndonjë njoftim zyrtar për sanksione. Vazhdojmë të besojmë që çfarëdo mase ndaj Kosovës do të ishte e padrejtë dhe jofer. Është vështirë të arsyetohet se si Bashkimi Evropian mund të ndërmarra masa negative ndaj Kosovës, të cilën në raportin e tij të fundit për vendit e përshkruan në dritën më pozitive ndonjëherë; si në luftën kundër krimin dhe korrupsionit, si në demokratizim etj”- ka thënë Kryeziu.

Sipas tij, Kosova krejt çfarë po kërkon është respektim i Kushtetutës dhe sundim të ligjit.

“Kosova dhe institucionet e saj krejt çka po kërkojnë dhe synojnë është respektim i Kushtetutës dhe sundim të ligjit. Këto janë vlera të Bashkimi Evropian. Bashkimi Evropian ka mision të veçantë në Kosovë për Sundim të Ligjit, të quajtur EULEX”- ka thënë tutje ai.

Sipas Kryeziut, situata në katër komunat në veri të vendit është rezultat i ndërhyrjes së dyfishtë të Serbisë në çështje të brendshme të Kosovës

“Kjo sjellje e Serbisë është edhe shkelje e marrëveshjes së vitit 2013 e cila flet për integrimin e serbëve të Kosovës në institucione, por edhe shkelje e Marrëveshjes Bazike të 27 shkurtit e cila flet për marrëdhënie normal dhe fqinjësore dhe për njohjen e sovranitetit të njëra tjetër”- ka thënë tutje ai.

“Vlerat dhe parimet e demokracisë dhe sundimi të ligjit nuk janë transaksionale”- ka shtuar ai.

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Petar Stano ka bërë publike ‘masat kufizuese’ të cilat Bashkimi Evropian i ka marrë ndaj Kosovës.

Në një konferencë për media, Stano nuk pranoi t`i quaj137 ‘sanksione’ masat e BE-së për të cilat tha se mund të ndryshojnë varësisht nga situata në terren.

“Këto masa janë impelmentuese me pasoja politike dhe financiare, duke filluar nga suspendimi i vizitave të nivelit të lartë, kontakteve, ngjarjeve,  po ashtu edhe në bashkëpunimin financiar me Kosovën, dhe po ashtu këto masa janë të përkohshme dhe mund të ndërrohen, duke u varë nga zhvillimet në terren dhe marrjen e hapave kredibil të vendosur të marrë nga kryeministri Kurti”- tha Stano.

Cilat janë ‘masat kufizuese’ që Bashkimi Evropian i vendosi ndaj Kosovës