Qeveria amerikane do të mbulojë shpenzimet për refugjatët afganë në Kosovë

Qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, do të mbulojë shpenzimet për refugjatët afganë, që do të zhvendosen në Kosovë.

Kështu bëhet e ditur përmes një komunikate nga Zyra e Kryeministrit.

Sipas njoftimit, kryeministri Albin Kurti sot ka zhvilluar një takim online me përfaqësues të dhjetëra shteteve dhe organizatave ndërkombëtare, për të diskutuar situatën humanitare në Afganistan.

Takimi është organizuar nga zëvendëssekretarja e Shtetit, Wender Sherman dhe nënsekretarja për Çështje Politike, Victoria Nuland.

“Në emër të qeverisë amerikane, zëvendëssekretarja e Shtetit, Sherman dhe nënsekretarja e Shtetit për Çështje Politike, Nuland shprehën vlerësimin e tyre të thellë për shtetet mike, duke përfshirë këtu edhe Kosovën, që kanë treguar vullnetin dhe ofruar gatishmërinë e tyre për të strehuar përkohësisht qytetarët afganë, aplikantë në procesin për ‘Viza Speciale të Imigrimit’ (SIV) në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Sherman potencoi se të gjitha shpenzimet nga strehimi i përkohshëm i qytetarëve afganë do të mbulohet nga qeveria amerikane”, thuhet në njoftim.

Në mbledhjen saj të 26-të, Qeveria ka marrë vendim për dhënien e mbrojtjes së përkohshme dhe të menjëhershme personave të rrezikuar nga konflikti i brendshëm në Afganistan. Ekipet përkatëse të Qeverisë së Kosovës dhe Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës janë në komunikim të vazhdueshëm në lidhje me hollësitë e strehimit të tyre.