Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Qëndron Kastrati i shkruan letër të hapur kryetarit të ri të Kamenicës: Pres reflektim dhe jo veprime populliste

Kryetari në largim i Kamenicës, Qendron Kastrati, i ka shkruar një letër kryetarit të posa zgjedhur të kësaj komune, Kadri Rrahimajt.

Fillimisht në këtë letër, Kastrati ka kërkuar nga Rrahimaj që të vazhdojë përpjekjen për instalimin e një qeverisje që nuk e keqpërdorë paranë publike.

“Në kuadër të kësaj, për të ndërtuar një shoqëri të shëndoshë demokratike është e domosdoshme që kabineti, por edhe stafi civil, të jetë divers duke përfshirë 50% të grave në pozita udhëheqëse dhe përfshierje të minoriteteve në vendimmarrje”, thuhet në letër.

Tutje, Kastrati ka thënë se është konfirmuar që reforma në arsim është e domosdoshme për arsimim cilësor, e për këtë sipas Kastratit, tani që Rahimaj e ka pushtetin, pret reflektim dhe jo veprime populiste.

“Në këtë rrafsh unë do të vazhdojë të jem aktiv, sepse siç e kam dëshmuar, kjo përpjeke i kalon ambiciet personale apo garën politike”.

Ndërsa në fund, Kastrati ka shkruar se Kamenica ka shumë probleme infrastrukturore, që kanë nevojë për zgjidhje. Sipas tij, më shumë se për asfalt, Kamenica ka nevojë për gjallëri.

“Kjo do të thotë investim në aspekte të padukshme të qeverisjes, kjo nënkupton qasje jo popullsitë dhe përkushtim të palodshëm në detaje”, thuhet në letrën e Kastratit, drejtuar Rahimajt.

Kadri Rahimaj i Vetëvendosjes ka mposhtur Qëndron Kastratin e PSD-së në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale, të mbajtur me 14 nëntor 2021. Rahimaj ka fituar 53.11% të votave, ndërsa Kastrati 46.89%.