Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Prokuroria po heton rastin që kryetari i Kamenicës e raportoi në Polici për ndërhyrje në sistemin kompjuterik

Kryetari i Komunës së Kamenicës, Kadri Rahimaj, para katër ditëve ka raportuar në Polici se persona të panjohur kanë ndërhyrë në sistemin e tij kompjuterik.

Lajmin për KALLXO.com e kishte konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Gjilanit, Ismet Hashani.

Për këtë rast edhe Prokuroria në Gjilan ka filluar hetimet.

Zëdhënësja e kësaj prokurorie, Gentiana Mustafa ka treguar për KALLXO.com se janë duke e hetuar rastin.

“Prokurori i Shetit ka autorizuar Policinë e Kosovës për të ndërmarr të gjitha veprimet hetimore lidhur me rastin në fjalë” – ka thënë Mustafa.

Hashani kishte treguar se ngjarja ka ndodhur më 22 shtator 2022, rreth orës 16:48.

“Ankuesi, Kryetari i Komunës së Kamenicës ka raportuar se derisa ka qëndruar në zyrë pas orës 16:00, gjatë punës në kompjuter ka vërejtur se ka ndërhyrje të drejtpërdrejtë në sistemin kompjuterik të tij nga faktor të jashtëm” – tha Hashani.

Ai tutje ka shtuar se rastit i janë përgjigjur njësitet kompetente të Policisë dhe me urdhër të prokurorit nga njësiti i kibernetikës është marrë shtëpiza e kompjuterit.

Kryetarit të Kamenicës i ndërhyjnë në sistemin kompjuterik, rastin e raporton në Polici