Kryetarit të Kamenicës i ndërhyjnë në sistemin kompjuterik, rastin e raporton në Polici

Kryetari i Komunës së Kamenicës, Kadri Rahimaj, para tri ditëve ka raportuar në Polici se persona të panjohur kanë ndërhyrë në sistemin e tij kompjuterik.

Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Gjilanit, Ismet Hashani.

Hashani ka thënë se ngjarja ka ndodhur më 22 shtator 2022, rreth orës 16:48.

“Ankuesi, Kryetari i Komunës së Kamenicës ka raportuar se derisa ka qëndruar në zyrë pas orës 16:00, gjatë punës në kompjuter ka vërejtur se ka ndërhyrje të drejtpërdrejtë në sistemin kompjuterik të tij nga faktor të jashtëm” – ka thënë Hashani.

Ai tutje ka shtuar se rastit i janë përgjigjur njësitet kompetente të Policisë dhe me urdhër të prokurorit nga njësiti i kibernetikës është marrë shtëpiza e kompjuterit.