
Projekti, Prishtina e Kamenica mendojnë të lidhen përmes shtegut të biçikletave
Kryetari i Prishtinës dhe ai i Kamenicës janë takuar sot për të diskutuar një nismë interesante që përfshinë të dy qytetet.
Përparim Rama dhe Kadri Rahimaj po synojnë të krijojnë një shteg të biçikletave Prishtinë-Kamenicë.
Ky shteg, sipas Ramës, do të lidhë dy qytetet nëpërmjet transportit alternativ dhe në vete do të ngërthejë edhe një itinerar kulturor e ambiental për gjithë komunitetet.
“Bashkë me Kryetarin e Kamenicës, z. Kadri Rahimaj, shoqëruar nga Drejtorja e Parqeve, znj. Donika Çetta, diskutuam rreth inicimit të një bashkëpunimi ndërkomunal për hartimin e projektit të krijimit të shtegut të biçikletave Prishtinë – Kamenicë. Ky shteg, përveç se do të ndërlidhë dy qytetet tona nëpërmjet transportit alternativ, në vete do të ngërthejë edhe një itinerar kulturor e ambiental për gjithë komunitetet”, njoftoi Rama.