G7, ilustrim

Qëndrimi i G7 për veprimet e fundit të Rusisë

Ministrat e jashtëm të grupit G7 të ekonomive më të mëdha në botë, kanë rënë dakord të dënojnë njohjen nga Rusia të dy rajoneve të shkëputura në Ukrainë, tha ministri i Jashtëm i Japonisë.

Yoshimasa Hayashi u tha gazetarëve, ministrat vendosën se njohja e dy rajoneve nga Rusia si të pavarura ishte në kundërshtim me sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës, si dhe të drejtën ndërkombëtare.

G7 përbëhet nga Britania e Madhe, Gjermania, Kanadaja, Franca, Italia, Japonia dhe Shtetet e Bashkuara.

Presidenti rus, Vladimir Putin ka nënshkruar të hënën dekretin për njohjen e pavarësisë së rajoneve ukrainase, Donetsk dhe Luhansk, të cilat kontrollohen pjesërisht nga separatistët e mbështetur nga Moska.

Putin ka urdhëruar Ministrinë ruse të Mbrojtjes të dërgojë trupat ruse në rajonet lindore të Ukrainës, sipas një dekreti të publikuar të hënën, pasi Moska ka njohur pavarësinë e tyre.

Putin ka nënshkruar dekretet për të njohur dy rajonet lindore si Republika Popullore e Donetskut dhe Republika Popullore e Luhanskut si entitete të pavarura, duke sfiduar paralajmërimet e Perëndimit se hapa të tillë do të jenë ilegalë dhe do të shkatërrojnë negociatat për paqe.