Qendra Kinematografike shpall rezultatin e konkursit për mbështetje të projekteve filmike

Qendra Kinematografike e Kosovës ka shpallur sot, më 10.06.2024, rezultatin e konkursit për mbështetje të projekteve filmike për 2023 dhe 2024.

Konkursi i QKK-së për mbështetje të projekteve ishte hapur më 12.12.2023 dhe më 22.01.2024 ishte shtyrë për një muaj.

Përmes një njoftimi, QKK ka bërë të ditur se për këtë konkurs ka pasur një numër rekord aplikimesh, gjithsej 134 projekte aplikuese në të gjitha kategoritë.

Nga 14 projekte konkurruese për kategorinë për film të metrazhit të gjatë artistik (mbi 60 minuta), QKK ka përzgjedhur 2 prej tyre për mbështetje; projektin fimik “Kthimi në mal” me skenar dhe regjit të Antoneta Kastratit dhe producent Casey Cooper Johnson dhe projektin filmik “Zbardhje” me skenar të Doruntina Bashës e regji të Kaltrina Krasniqit me producent Ares Shportën.

Në kategorinë e bashkëprodhimit minor janë përzgjedhur 3 projekte filmike. Në atë të metrazhit të gjatë debutues një film, kurse në kategorinë e filmit të shkurtër artistik janë përzgjedhur 6 projekte filmike.

Në kategorinë për film të metrazhit të gjatë dokumentar janë përzgjedhur 2 projekte filmike, kurse 8 për zhvillim të skenarit.

2 projekte filmike janë përzgjedhur në kategorinë e post-produksionit dhe 2 projekte filmike në kategorinë për film të metrazhit të shkurtër dokumentar.

Në kategorinë e filmit të shkurtër të animuar janë mbështetur dy projekte filmike, kurse në zhvillim të projektit 4 projekte filmike.

Po ashtu, këtë vit, QKK ka mbështetur edhe 4 projekte filmike në kategorinë e filmit të shkurtër studentor.

QKK nuk ka bërë publike shumën e ndarë për projektet që janë mbështetur, ndërsa ka bërë të ditur se afati i ankesave është tetë ditë në komisionin e ankesave në QKK.

Buxheti i QKK-së për subvencionim të projekteve filmike për 2024 është 1 milion e 600 mijë euro.