Intervistë me Avokatin e Popullit, Naim Qelaj. Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Qelaj zotohet se do e rrisë transparencën në Institucionin e Avokatit të Popullit - VIDEO

Naim Qelaj, Avokat i Popullit i posazgjedhur ka premtuar se do e rrisë transparencën në këtë institucion.

Naim Qelaj tha para gazetares Jeta Xharra se ka qenë shqetëusese për të zvarritja e rezultateve, të procesit të zgjedhjes së Avokatit të Popullit.

“Kam qenë pjesë e garës dhe kam dasht me e ditë se çka po ndodhë. Në anën tjetër kam parë kritikë të shoqërisë civile në drejtim të procesit dhe kam deklaruar publikisht që zëri i shoqërise civile duhet të dëgjohet në çdo rast, por nuk është pjesë e imja që me u përzi në atë punë dhe nuk kam mundur me vendosë, sepse ka vendosë politika”, ka thënë Qelaj.

Ai ka thënë se brenda kompetencave të tij do të mundohet me ndiku në këtë pjesë, jo vetëm të Avokatit të Popullit, por edhe të proceseve të tjera.

“Mendoj që një segment që duhet me u trajtu, në mandatin e Avokatit të Popullit që e kam me Kushtetutë, është edhe shkelja e të drejtave të njeriut në punësim”, ka thënë Qelaj.

Qelaj që dikur ishte zëvendësministër i Drejtësisë në kohën e Ramush Haradinajt, ka folur edhe për të kaluarën e tij politike.

Ai tha se është mundur që të jep kontributin e vet në hapësirën që i është ofruar.

“Mendoj që njeriu mundohet me kontribu për vendin e vet aty ku i jepet hapësira, për një periudhë të gjatë kohore mua nuk më është jap hapësira për me puni diku tjetër, që me e jep kontributin tim në shtet-ndërtim. Kam qenë pjesë e një subjekti politik e më pas ky subjekt ka propozu që të jem zëvendësministër i Drejtësisë në mandatin e Ramush Haradinajt”, tha Qelaj.