PZAP refuzon ankesën e LVV-së kundër Aleksandër Arsenijeviq

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka refuzuar si të pabazë Ankesën e Lëvizjes Vetëvendosje kundër kryetarit të Srpska Demokratija, Aleksandër Arsenijeviq, lidhur me shkeljen e kodit të mirësjelljes për subjektet politike gjatë fushatës zgjedhore.

Në arsyetim të këtij Vendimi, PZAP bën të ditur se, më 14.01,2025, LVV ka paraqitur Ankesë ndaj Arsenijeviq nën pretendimin se më 12.01.2025 ka penguar vizitën e kryeministrit Albin Kurti në Veriun e Mitrovicës.

Kurti atë ditë kishte dalë në lokalin ‘Misini’, i cili gjendet në këtë pjesë të qytetit dhe prej aty ishte nisur në tubimin që do të mbahej në palestrën sportive ‘Minatori’. Aleksandër Arsenijeviq kishte tentuar të pengojë aktivitetin – duke përdorur gjuhë ofenduese me zë të lartë dhe fishkëlluar Kryeministrit e Ministrave e Deputetëve, që ishin në shoqëri të tij.

Arsenijeviq ishte arrestuar pasi nuk kishte përfillur rekomandimet, që të ndalej pasi po pengonte aktivitetin.

Në përgjigjen për këtë Ankesë, kryetari i Srpska Demokratija kishte bërë të ditur se nuk kanë qenë në dijeni se aty do mbahej tubim zgjedhor. Plani i LVV-së kishte qenë për vizitë në Mitrovicë të Jugut.

Ai kishte theksuar më tej se fishkëllima ka qenë si protestë, që i ishte penguar liria e lëvizjes nga kordoni policor, e që nuk e kanë ditur se pak metra më tej ishte Kryeministri dhe se askush nuk kishte njoftuar se nuk mund të lëvizë në atë pjesë.

Sipas PZAP-së, veprimet e parashtruara në Ankesë nuk paraqesin ndonjë shkelje të pretenduar, pasi në pamjet e bashkangjitura shihet se nuk ka pasur mbledhim zgjedhor.

Zgjedhjet parlamentare do të mbahen më 09.02.2025.

Policia Speciale në sheshin e Mitrovicës së Veriut, Arsenijeviq proteston