
Policia Speciale në sheshin e Mitrovicës së Veriut, Arsenijeviq proteston
Politikani serb i Kosovës, Aleksandar Arsenijeviq, lider i partisë Demokracia Serbe është parë duke protestuar në Mitrovicën e Veriut më 12.01.2025.
Protesta është mbajtur si shprehje e revoltës pas pretendimeve se një qytetar serb gjatë arrestimit u keqtrajtua nga pjestarë të Policisë së Kosovës.
KALLXO.com po qëndron në qendër të Mitrovicës së Veriut dhe sjell pamjet nga vendi i ngjarjes ku ndodhej Policia Speciale.
Lidhur me këtë çështje, KALLXO.com ka dërguar pyetje edhe në Policinë e Kosovës por deri në publikimin e këtij artikulli nuk ka pranuar ndonjë përgjigje.
Arsenijeviq në një postim gjatë ditës në rrjetin social Facebook ka pretenduar se një qytetar serb është lënduar fizikisht nga Policia e Kosovës në Leposaviq.
Ai ka kërkuar hetim dhe transparencë të plotë në lidhje me rastin.
“Kërkojmë nga institucionet relevante, sidomos Eulex, që urgjentisht të reagojnë, të kryejnë hetim të paanshëm, të ofrojnë ndihmë adekuate mjekësore për Vladimir Djordjeviq dhe të mundësohet transparencë e plotë në këtë rast. Gjithashtu apelojmë tek përgjegjësit që të parandalojnë fshehjen e fakteve dhe të sigurojnë drejtësi për të gjithë qytetarët që janë ekspozuar ndaj veprimeve të tilla”- ka shkruar ai në Facebook.
Ndaj këtyre pretendimeve ka reaguar Shefi i EULEX-it, Giovanni Pietro Barbano i cili është shprehur i shqetësuar me rastin.
“Thellësisht i shqetësuar nga raportet shqetësuese në lidhje me keqtrajtimin e supozuar të një personi të arrestuar në Soqanicë. Edhe pse EULEX-i nuk është më i mandatuar për të kryer hetime, ne jemi të përkushtuar për rolin tonë të fuqishëm monitorues, duke bërë çdo përpjekje për të hedhur dritë mbi rastin”- ka thënë ai.
Deeply concerned by disturbing reports about the alleged mistreatment of a person arrested in Sočanicica/Soqanicë. Although EULEX is no longer mandated to conduct investigations we are committed to our robust monitoring role, making every effort to shed light on the case.
— Giovanni Pietro Barbano (@EulexHoM) January 12, 2025