Ilustrim

Punimet në rrugën afër QKUK-së krijojnë vonesa për autoambulancat

Punimet që kanë nisur në një rrugë afër Qendrës Klinike Universitare të Kosovës kanë krijuar kolona dhe vonesa për autoambulancat dhe jo vetëm.

Dje gjatë seancës së Kuvendit të Kosovës, deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu, tha se një autoambulance i duhen 45 minuta që të mbërrijë nga hyrja e QKUK-së deri në emergjencë.

Drejtoria e Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës (ShSKUK) konfirmoi sot për KALLXO.com që komunikacioni brenda hapësirave të QKUK-së është i mbingarkuar.

Ata thanë se kjo po ndodh për shkak të shfrytëzimit të rrugëve të QKUK-së si rrugë alternative nga qytetarët, gjatë punimeve.

“QKUK është në kontakt të vazhdueshëm me zyrtarët e Komunës së Prishtinës, ku në takimet e përbashkëta është diskutuar se si mund të bëhen zgjidhje për të qenë qarkullimi dhe qasja më e lehtë edhe në QKUK” – thuhet në përgjigjen e ShSKUK-së.

Drejtori i Investimeve Kapitale në Prishtinë, Krenar Xhaferi, tregoi që punimet janë duke u zhvilluar në rrugën “Holger Petersen”.

Ai tha se këto punime do të përfundojnë pas tri javësh, për t’u kthyer në normalitet. Xhaferi shtoi se gjatë këtyre tri javëve kanë kërkuar që ajo rrugë të bllokohet.

“Jemi duke i zhvilluar punimet në rrugën “Holger Petersen”, rrugë e cila është jashtëzakonisht e qarkullueshme. Pikërisht për shkak që është rrugë e ngarkuar, ne do të krijojmë edhe një korsi në atë rrugë dhe do të jetë rrugë me tri korsi, trotuare dhe do të ketë gjelbërim anësor” – tha Xhaferi për KALLXO.com.

Përderisa kjo rrugë të jetë e bllokuar, ai tha se dy rrugë lidhëse të rrugës “Muharrem Fejza” janë shenjëzuar si njëkahëshe për ta bërë funksional rrjetin rrugor në atë pjesë.

Ai përfundoi duke i lutur qytetarët për durim, pasi që brenda tri javësh do të lirohet ajo rrugë.