Ilustrim

Vdes mjeku që ishte në autoambulancën që u aksidentua para disa ditësh në Gjakovë

Oda e Mjekëve të Kosovës ka njoftuar se sot ka vdekur Mentor Salihi, doktor në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Gjakovë.

Salihi ka qenë në autoambulancën e cila u aksidentua më 30 qershor në lagjen “Dardania” në Gjakovë.

Oda e Mjekëve ka shprehur ngushëllime për vdekjen e tij.

“Detyra e mjekut si shpëtimtar jete, bëri që Dr. Salihi të ishte në autoambulancën që u aksidentua ditë më parë në Gjakovë. Oda e Mjekëve të Kosovës i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjarëve, miqve dhe kolegëve të tij”, thuhet në njoftimin e OMK-së.

Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar edhe zëdhësnesi i Policisë për Rajonin e Gjakovës, Sheremet Elezaj, i cili ka thënë se viktima dërgohet në Institutin e Mjekësisë Ligjore.

“Sot rreth orës 19:00 Policia është njoftuar se njëri nga të lënduarit në aksident trafiku që ka ndodhur me datë 30.06.2022 në rrugën ”Pashko Vasa” në Gjakovë, viktima mashkull/kosovar lindur në vitin 1989 ka ndërruar jetë. Me vendim të Prokurorit të  Shtetit viktima dërgohet në Institutin e Mjekësisë Ligjore”, ka thënë Elezaj për KALLXO.com.

Një autoambulancë ishte aksidentuar me një veturë në lagjen “Dardania” në Gjakovë.

Një person ka vdekur si pasojë e këtij aksidenti, ndërsa është arrestuar një i dyshuar që po voziste veturën që u aksidentua me autoambulancën.

Policia e Kosovës ka konfrimuar se ka vdekur shoferi i autoambulancës.

KALLXO.com ka raportuar për këtë aksident.

Aksidenti në Gjakovë, vdes shoferi i autoambulancës dhe arrestohet shoferi i veturës