
Autoambulanca para objektit të Prokurorisë së Prishtinës (10.08.2022), Foto: KALLXO.com
Për 10 ditë u alivanosën 3 punëtore brenda objektit të Prokurorisë së Prishtinës
Sot janë alivanosur dy zyrtarë të Prokurorisë së Prishtinës.
Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar administratorja e kësaj prokurorie, Feride Isufi.
Sipas Isufit, dyshohet se zyrtarët u alivanosën për shkak të temperaturave të larta.
Përveç kësaj, ajo tha se është gjendje alarmante dhe se temperatura në zyret e tyre është shumë e lartë.
“E kemi gjendjen alarmante, temperaturat janë shumë të larta, më së paku në zyre është 28 e lartë, ka ndodh që deri në 42 gradë kemi pasur temperaturë. Sot për momentin është 33.5“ – tha Isufi.
Tutje ajo tha se njëra nga zyrtaret e alivanosura ishte me probleme shëndetësore si dhe të dyja kishin marrë trajtim të nevojshëm mjekësor.
Është hera e dytë që brenda 10 ditëve autoambulanca është parë para Prokurorisë së Prishtinës.
Javën e kaluar është raportuar për alivanosjen e një puntoreje ku dyshohej se shkak ishte problemi me ajrosjen e objektit.