Bartja e pajisjeve për kriptovaluta u krye me autoambulancë (VIDEO)

Policia e Kosovës ka sekuestruar 174 pajisje të kriptovalutave në Zubin Potok.

Bartja e pajisjeve për kriptovaluta në veri është bërë me autoambulancë, me qëllim që t’u ikin organeve ndjekëse.

Në lidhje me këtë rast, ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli tha se mospagesa e faturave të energjisë elektrike në komunat veriore nxit aktivitete të tilla.

Ajo ka theksuar se pikërisht kjo është arsyeja pse Serbia është duke bllokuar zbatimi e udhërrëfyesit të energjisë.

“Policia ka sekuestruar 174 pajisje të paligjshme të kripto-minimit në Zubin Potok. Mospagesa e faturave të energjisë elektrike nxit aktivitete të tilla të paligjshme. Kjo është arsyeja pse Serbia bllokon zbatimin e udhërrëfyesit të energjisë. Ne i përmbushëm të gjitha angazhimet tona. Koha që edhe pala tjetër të bëjë të njëjtën gjë, urgjentisht” – ka shkruar ministrja Rizvanolli në Twitter.

Në fillim të vitit të kaluar, Qeveria e Kosovës kishte marrë vendim që të ndalojë prodhimin e kriptovalutave për shkak të gjendjes emergjente me energji elektrike.