Punimet në objektin banesor, shembet magazina, rrezikohet shembja e shtëpisë së familjes Hetemi (VIDEO)

Ky është momenti kur magazina e shtëpisë së familjes Hetemi është rrënuar, si pasojë e punimeve për ndërtimin e një objekti shumëkatësh. Ajo ishte e ngjitur me murin e shtëpisë. Jetesa e përditshme në këtë shtëpi, tash paraqet rrezik, pasi mund rrënohet komplet. Dheu i është gërryer nën themele, e familja e ka braktisur nga frika se mund të rrëzohet në gropën përskaj.

Kryefamiljari, Xhemajl Hetemi, tregon se në momentin kur bashkëshortja e informon se është shemb magazina e shtëpisë, ka qenë duke u kthyer nga puna dhe se ai ka kërkuar nga familjarët të largon nga shtëpia për shkak të rrezikut.

Ai thotë se i ka paralajmëruar punëkryesit se mund të shkaktojnë dëme në shtëpi, por të njëjtit kanë vazhduar punimet.

“Babën e kam 100 vjeçar, ka qenë brenda në shtëpi, gruaja ka qenë në shtëpi, vajza dhe djali duke u kthyer nga puna. Unë kam bërë çmos që sa ma shpejtë me u kthy (nga puna), kur jam kthy e kam gjetë në këtë gjendje qysh po e shihni”, rrëfen ai.

Hetemi potencon se të gjithë drejtoritë përkatëse në komunën e Ferizajt, i ka lutur që të gjendet një zgjidhje para se të bëhet dëmi, mirëpo për këtë i kanë thënë të mos merakoset sepse ata janë përgjegjës për këtë punë.

“Të gjitha nivelet e drejtorisë komunale të Ferizajt janë të njoftuara me kohë. Para se me fillu (punimet) unë duke e ditur si banorë i kësaj shtëpie, se ku po mendohet me u fillu ky ndërtim, kam kontaktuar me inspektorët e urbanizimit, inspektorët e ndërtimit dhe inspektorët e punës, e kam edhe deklaratën të cilën mundeni me pa edhe ju që i kam njoftu. U kam thënë, ju lutem me sinqeritetin më të madh që të bëjmë diçka në preventivë, mos të na ndodhin senet e të bisedojmë kur të na bëhet dëmi. Të gjitha nivelet e drejtorive më kanë thënë se ‘ne jemi përgjegjës’. Kam bisedu edhe me investitorin… unë jam shumë i shqetsum pse nuk po mundemi me u mirëkuptu”, thotë tutje kryefamiljari.

Ai tregon se hapësira ndërmjet shtëpisë dhe objektit ku parashihet të ndërtohet, ka qenë 25 centimetra.

“Unë shtëpinë e kam të legalizume në komunë dhe hapësira e lirë e imja është 25 centimetra, është e rregullume me dokumentacion”, sqarohen ai.

Për shkak të rrezikut që është paraparë në këtë pjesë ku po zhvillohen punimet nga kompania ‘Germany Invest KS L.L.C’, kryefamiljari ka kërkuar që të bëjnë një marrëveshje dhe në rast se ka dëmtime kompania t’i kompensoj ato.

“Duke e parë rrezikun këtu, ne kemi bërë një marrëveshje të paktën ta kemi një marrëveshje me shkrim. Së pari ta sigurojmë jetën ne e masanej ta sigurojmë pronën… Unë e kam bërë marrëveshjen me ta (pronarin e objektit banesor) në marrëveshje e kam cek që në pronën time të zbatoni legjislacionin komunal që duhet të zbatohet, le të bëhet punimi sipas projektit”, thotë tutje ai.

Në kohën sa KALLXO.com ka qenë te familja Hetemi, erdhi edhe kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu. Ai i ofroi mbështetje morale familjarëve dhe se u tha se është me familjen për çka do që të ndodh.

Aliu thotë se duhet të shikohet nëse mund të sanohet dëmi dhe të vlerësohet saktë gjendja e shtëpisë.

“Ti nuk guxon me jetu në këtë pasiguri. Së bashku me ekipet që kemi dal këtu edhe ekipet tjera, duhet të bëhet një vlerësim i saktë i gjendjes. Ti duhet të evakuohesh, vetëm nga fotot dhe videot që i kam parë, nuk kisha jetu në pasiguri. Çfarë duhet të merret përsipër, i merr kompania sepse është në përgjegjësinë e kompanisë me i marr krejt këto dëme që janë shkaktu këtu”, u shpreh Aliu.

Ndërtuesi i objektit banesor, Rasim Ejupi, e quan fat që në këtë rast nuk ka viktima dhe se familjes Hetemi i ka ofruar banim, por të njëjtit kanë refuzuar pasi që aktualisht janë duke banuar te shtëpia e vëllaut.

“Është një fat i mirë që nuk kemi pas viktima. Ne e kemi alarmu situatën e kemi largu kompaninë, i kemi largu banorët e Xhemës (kryefamiljarit) pa vullnetin e tij, kemi ndje keqardhje për shqetësimin. E kemi bërë një marrëveshje që mundet me ndodh, sepse ndërtimi nuk ka parashikim, e kemi bërë marrëveshjen se në rast se ndodh diçka, gjendja kthehet ashtu siç ishte kur shtëpia u banonte”, tregon Ejupi.

Inspektori i ndërtimit në komunën e Ferizajt, Pajtim Cakolli, në një intervistë dhënë për KALLXO.com thotë se kanë dal në punishte kanë biseduar me investitorin dhe i kanë treguar përgjegjësinë e tij për sigurinë se si duhet të bëhet në objekt.

“Ne kemi dal në punishte kemi bisedu, edhe investitorit i kemi tregu për përgjegjësitë e tij për sigurinë që duhet të bëjë në objekt. Paraprakisht investitori në fjalë, ka bo pilotimin e bodrumit, gërmimi që është bërë do të thotë ky (investitori) e ka kry punën e sigurisë së bodrumit, tash çështja e shembjes që ka ndodh, nuk jemi ne organ që e vlerësojmë cilësinë e betonit që është përdorë aty”, rrëfen ai.

Tutje, ai thotë se nuk e di kush është përgjegjës, por tani duhet Gjykata Themelore e Ferizajt të bëjë analizën e betonit për të parë cilësinë e tij.

“Përgjegjës nuk e di kush është. Investitori i ka marr masat e ka siguru objektin, tash duhet të bëhet analizë e betonit që është përdorë për pilotim, për këtë duhet Gjykata Themelore e Komunës të bëjë një ekip, dhe varësisht nga rezultatet që dalin dihet përgjegjësi”, tregon ai.

Përveç dëmeve të shtëpisë punimet për objektin banesor kanë shkaktuar çarje edhe në rrugën “Gursel dhe Bajram Sylejmani” në Ferizaj. Për shkak të çarjeve dhe rrezikut komuna ka bllokuar qarkullimin në këtë rrugë.