Ilustrim
Policia arrestoi të dyshuarin teksa grabiste në një shtëpi në Ferizaj, tre të tjerë në arrati
Policia e Kosovës ka arrestuar në flagrancë të dyshuarin për grabite me inicialet I.R, 48-vjeçar, ndërsa tre të tjerë kanë arritur të largohen, teksa po grabisnin një shtëpi në Bibaj të Ferizajt.
Sipas policisë, katër persona të maskuar e të armatosur, në orët e parë të ditës së sotme nën kërcënimin e armëve kanë grabitur stoli ari dhe gjësende të tjera në vlerë rreth 20 mijë eurove, nga një grua e cila ishte në shtëpi me fëmijë e saj.
“Nga hetimet e para është mësuar se katër persona me maska kishin depërtuar me forcë brenda në shtëpi dhe sipas viktimës femër, kosovare e moshës 34 vjeçare, e cila ishte në gjumë me katër fëmijët e saj, posa kishte dëgjuar zhurmën arrin përmes telefonit që ta njoftojë vjehrrin e saj, e që më pas ai njofton policinë, ndërsa viktima has të maskuarit, të cilët ishin me armë zjarri (pistoleta) në dorë. Të dyshuarit në prezencë të saj dhe fëmijëve, nën kërcënimin e armëve kanë grabitur stoli ari dhe gjësende të tjera në vlerë rreth 20 mijë eurove”- thuhet në njoftim.
Polica pasi ka arritur tek shtëpia e grabitur kanë vërejtur se të dyshuarit ishin brenda shtëpisë dhe në përpjekje për t’i kapur në flagrancë të dyshuarit kanë kërcyer nga kati i dytë, duke u larguar nga oborri në fushë të hapur në drejtime të ndryshme.
“Pas ndjekjes së tyre policia ka arritur që të ndalojë njërin të dyshuar dhe më pas ta arrestojë, i cili duke rezistuar kishte sulmuar zyrtarët policor. Si dëshmi tek i dyshuari janë gjetur: stoli ari, një thikë dhe një bateri ndriçuese, ndërsa tre të tjerë janë larguar në drejtim të panjohur”- thuhet në njoftim.
Polica thotë se hetuesit dhe krimteknikët e Sektorit Rajonal të Hetimeve i kanë nisur hetimet për zbardhjen e rastit.
I arrestuari në flagrancë I. R., mashkull, shqiptar, shtetas i Serbisë, i moshës 48 vjeçare me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.
Ndërsa në kërkim policor mbeten të dyshuarit tjerë të kësaj ngjarje.