Punëtori i gjykatës akuzohet se mori 30 euro ryshfet

Baki Rrahmani doli sot para Gjykatës së Gjilanit si i akuzuar për marrje ryshfeti.

Ai po akuzohet se si punëtor administrativ në Gjykatën e Prishtinës, kishte marrë ryshfet prej 30 eurove nga një i akuzuar për rrezikim të trafikut publik.

Seanca e paraparë të mbahet sot dështoi për shkak të mungesës së njërit nga avokatëve mbrojtës.

I akuzuari tha se nuk mund te deklarohet pa avokatin e tij

“Pa avokatin tim nuk mund të deklarohem pasi që ai i ka shkresat e lëndës dhe ai ka rast vdekje prandaj nuk mund të jetë present në seancën e sotme”, tha i akuzuari.

Seanca e sotme u shty për datën 13 nëntor.

Baki Rrahmani akuzohet se më 15 shkurt 2019, duke qenë në cilësinë e personit zyrtar (ndihmës- referent i ekzekutimeve) në këtë Gjykatë ka kërkuar dhe marrë ryshfet.

Sipas aktakuzës, rysheti ishte në shumën prej 20 euro  dhe u mor nga i dëmtuari Alji Sadrija, i cili ka qenë i akuzuar për veprën penale rrezikim i trafikut publik.

Tutje  sipas aktakuzës, më 21 shkurt 2019, në lokalin “Pranvera”, në Podujevë, i akuzuari  është takuar me të dëmtuarin Sadrija, dhe ka marrë ryshfet në vlerë prej 10 euro, në mënyrë që i pandehuri pasi që është person zyrtar në këtë gjykatë, të bisedojë me gjyqtaren dha ta lirojë nga akuza.