Ilustrim

Gjykimi për ryshfet ndaj zyrtarit të Gjykatës së Prishtinës, i dëmtuari mungon në seancë

Baki Rrahmani, i akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare ka dalë sot para Gjykatës së Gjilanit.

I njëjti akuzohet nga Prokuroria se në cilësinë e personit zyrtar, konkretisht ndihmës referent i ekzekutimeve në Gjykatën e Prishtinës, në datën 15.02.2019, me qëllim të përfitimit kishte kërkuar dhe pastaj ka marrë ryshfet në shumën prej 20 euro nga i dëmtuari Alji Sadria.

I dëmtuari në këtë rast në gjykatë ka qenë në cilësinë e të akuzuarit për rrezikim të trafikut publik.

Sipas aktakuzës, meqë i akuzuari ka qenë zyrtar në gjykatë, i ka thënë të dëmtuarit që do të bisedoj me gjyqtarin e çështjes dhe ta liroj të dëmtuarin nga akuza, në këmbim të shumës së kërkuar nga i akuzuari.

Me këto veprime i akuzuari ka kryer veprën penale të marrjes së ryshfetit dhe keqpërdorimit të pozitës zyrtare duke tejkaluar kompetencat e tij.

Në shqyrtimin e së enjtes në Gjykatën e Gjilanit, i akuzuari u deklarua se ndihet i pafajshëm.

Ndërsa, në fjalën fillestare prokurorja e shtetit Merrushe Llugiqi, deklaroi se në bazë të provave të cilat do të procedohen në shqyrtim gjyqësor, do të vërtetohet se i akuzuari është fajtor.

Ndërsa mbrojtësi i të akuzuarit avokati Ahmet Gjinovci, në fjalën fillestare deklaroi se aktakuza bazohet vetëm në supozime dhe se në shqyrtim gjyqësor pasi të procedohen provat do të vërtetohet se i akuzuari është i pafajshëm.

Më tutje në shqyrtim gjyqësor i akuzuari i kërkoi gjykatës që t`i kthehet telefoni dhe numri i tij, mirëpo gjykata nuk e pranoi kërkesën e të akuzuarit, meqë telefoni dhe numri duhet të procedohen si prova në procedurë.

Duke qenë se ishte ftuar të dëshmonte i dëmtuari Alji Sadria dhe i njëjti mungoi në gjykatë, atëherë trupi gjykues me kryetar Zyhdi Hazirin dhe anëtarët Naser Maliqi dhe Islam Thaçi vendosi që të ndërpres seancën dhe ta shtyjë për datë tjetër, ndërsa ndaj të dëmtuarit lëshoi urdhëresë për sjellje me dhunë në gjykatë.