Gjykimi për ryshfet ndaj Baki Rrahmanit. Foto: Kallxo.com

Dështon sërish gjykimi ndaj punëtorit të gjykatës për 30 euro ryshfet

Baki Rrahmani, ish punëtor administrativ në Gjykatën e Prishtinës, doli përsëri para trupit gjykues si i akuzuar për marrje ryshfeti.

Por sikurse në seancën e 28 tetorit, edhe sot mungoi Ahmet Gjinovci, avokati i të akuzuarit.

Procesi gjyqësor ndaj Rrahmanit po mbahet në gjykatën e Gjilanit.

KALLXO.com pati raportuar se edhe më 28 tetor nuk ishte mbajtur seanca ndaj të akuzuarit Rrahmani pikërisht për shkak të mungesës së Gjinovcit.

Baki Rrahmani akuzohet se më 15 shkurt 2019, duke qenë në cilësinë e personit zyrtar (ndihmës- referent i ekzekutimeve) në këtë Gjykatë ka kërkuar dhe marrë ryshfet. Sipas aktakuzës, ryshfeti ishte në shumën prej 20 euro dhe ishte marrë nga i dëmtuari Alji Sadrija, i cili ka qenë i akuzuar për veprën penale rrezikim i trafikut publik.

Tutje  sipas aktakuzës, më 21 shkurt 2019, në lokalin “Pranvera” në Podujevë, i akuzuari ishte takuar me të dëmtuarin Sadrija dhe kishte marrë ryshfet në vlerë prej 10 euro, në mënyrë që i pandehuri të bisedojë me gjyqtaren dha ta lirojë nga akuza.

Kryetari i trupit gjykues, Zyhdi Haziri, deklaroi se avokati e ka njoftuar gjykatën lidhur me mosprezencën e tij.

“Mbrojtësi i të akuzuarit e ka lajmëruar Gjykatën se më 7 nëntor e ka marrë një ftesë nga Gjykata e Prizrenit lidhur me një seancë të paraburgimit. Gjithashtu edhe në seancën e kaluar më 28 tetor kishte munguar i njëjti për shkak të një rasti të vdekjes”, tha kryetari i trupit gjykues Zyhdi Haziri.

I akuzuari deklaroi se nuk mund të përgjigjet pa praninë e avokatit të tij.

“Deklaroj sikurse në seancën e kaluar se nuk mund të përgjigjem pa avokatin tim, andaj ju kisha lutur që seanca e sotme mos të mbahet pa të”, tha i akuzuari Baki Rrahmani.

Kryetari i trupit gjykues tha se seanca e sotme shtyhet për muajin dhjetor, duke e obliguar të akuzuarin që nëse nuk vjen avokati i tij ta caktojë një avokat tjetër për seancën e radhës.