Punëtori i Gjykatës së Prishtinës dënohet nga Gjykata e Gjilanit

 

Baki Rrahmani, punëtorë i Gjykatës së Prishtinës, është shpallur fajtorë nga Gjykata e Gjilanit për mashtrim.

Rrahmani është dënuar me 1,500 euro gjobë për veprën penale të mashtrimit, kurse është liruar nga akuza për keqpërdorim të pozitës zyrtare.

Rrahmani akuzohej se më 15 shkurt 2019, duke qenë në cilësinë e personit zyrtar (ndihmës- referent i ekzekutimeve) në Gjykatën e Prishtinës, ka kërkuar dhe marrë ryshfet.

Sipas aktakuzës, ryshfeti ishte në shumën prej 20 euro dhe ishte marrë nga i dëmtuari Ali Sadrija, i cili ka qenë i akuzuar për veprën penale rrezikim i trafikut publik.

Tutje  sipas aktakuzës, më 21 shkurt 2019, në lokalin “Pranvera” në Podujevë, i akuzuari ishte takuar me të dëmtuarin Sadrija dhe kishte marrë ryshfet në vlerë prej 10 euro, në mënyrë që i pandehuri të bisedojë me gjyqtaren dha ta lirojë nga akuza.

Në seancën e fundit Prokuroria kishte kërkuar dënimin e të akuzuarit, kurse mbrojtja lirimin e tij.

Prokurorja Merrushe Rukiqi, kishte deklaruar se “Pas administrimit të të gjitha provave në të gjitha seancat e shqyrtimit gjyqësor, Prokuroria konsideron se janë vërtetuar faktet se i akuzuari Baki Rrahmani, i ka kryer veprat penale me të cilat akuzohej, ashtu siç janë të përshkruar në dispozitiv të aktakuzës”.

Avokati mbrojtës Ahmet Gjinovci, pati thënë se “Prokuroria si provë të vetme është bazuar në deklaratën e të dëmtuarit Ali Sadrija. Deklaratës së këtij dëshmitari (të dëmtuari) nuk duhet t’i falet besimi. Nuk është kontestuese se klientit tim i janë gjetur dhjetë euro, por është vërtetuar se ato nuk i ka marr në emër të ryshfetit, por vet dëshmitari ato ia ka lënë për pagesën e ndonjë kafeje. Andaj kërkojmë nga trupi gjykues që të mbrojturin tim ta lirojë nga akuza”.

Pas shpalljes së vendimit kryetari i trupit gjykues Zyhdi Haziri tha se “Marrja e ryshfetit zakonisht kualifikohet atëherë kur e merr (ryshfetin) dhe provon me ndiku tek dikush me anë të saj, kurse ti nuk ke mundur të ndikosh tek Gjyqtarja e rastit (për çka edhe janë marrë ato para), andaj lidhur me këtë Gjykata e ka bërë ri kualifikimin në mashtrim nga marrje ryshfeti”, tha gjykatësi Haziri në fund të seancës.