Foto: Kallxo.com

Gjykata e Gjilanit e gjobit sërish punëtorin e Gjykatës së Prishtinës për ryshfet

Baki Rrahmani, punëtor i Gjykatës së Prishtinës, është shpallur fajtor për të dytën herë nga Gjykata e Gjilanit për mashtrim.

Ai edhe pas rigjykimit është dënuar sikurse në gjykimin e parë me 1,500 euro gjobë.

Ky rast ishte kthyer në rigjykim nga Gjykata e Apelit për shkak të shkeljeve procedurale.

Rrahmani nga Prokuroria akuzohej se më 15 shkurt 2019, duke qenë në cilësinë e personit zyrtar (ndihmës- referent i ekzekutimeve) në Gjykatën e Prishtinës, ka kërkuar dhe marrë ryshfet.

Sipas aktakuzës, ryshfeti ishte në shumën prej 20 euro dhe ishte marrë nga i dëmtuari Ali Sadrija, i cili ka qenë i akuzuar për veprën penale rrezikim i trafikut publik.

Tutje, sipas aktakuzës, më 21 shkurt 2019, në lokalin “Pranvera” në Podujevë, i akuzuari ishte takuar me të dëmtuarin Sadrija dhe kishte marrë ryshfet në vlerë prej 10 euro, në mënyrë që i pandehuri të bisedojë me gjyqtaren dha ta lirojë nga akuza.

Në seancën e fundit pas rigjykimit, Prokuroria kishte kërkuar dënimin e të akuzuarit, kurse i akuzuari ishte mbrojtur në heshtje duke mos u deklaruar rreth rastit të tij.