Punësimet në Krimet Ekonomike dhe aferat

Familjari i drejtorit të Drejtorisë së Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit të Policisë së Kosovës, Bashkim Spahiut, Lavdim Osmani është arrestuar mbrëmjen e kaluar pas një hetimi të gjatë nga ana e IPK-së për marrje ryshfeti e keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Përveç Osmanit, nga ky Departament që udhëhiqet nga Bashkim Spahiu, janë arrestuar edhe dy persona të tjerë. Në total vetëm mbrëmë dhe sot janë arrestuar tre hetues policorë.

Vetë Spahiu në një konferencë të Policisë pranoi lidhjen familjare me Osmanin, ndërsa shtoi se kjo nuk do ta zbehë vazhdimin e hetimit të zyrtarëve të korruptuar brenda Policisë së Kosovës.

Ndryshimet të cilat erdhën pas emërimit të Rashit Qalajt në krye të Policisë rezultuan me largimin e dhjetëra hetuesve e eprorëve të Krimeve Ekonomike nga pozitat dhe rifreskimin e pozitave me hetues nga njësitë e tjera. Pjesë e ndryshimeve ishte edhe tërë struktura komanduese e hetimeve ekonomike.

Brenda Policisë procesi ishte parë si rekrutim i njerëzve të besueshëm të eprorëve të rinj. Një dosje e siguruar nga KALLXO.com e një padie që një polic i ka bërë Policisë pas largimit nga Krimet Ekonomike përshkruan diskutimet ku ishte theksuar se në Krimet Ekonomike do punonin vetëm të besueshmit e eprorëve.

“Gjatë takimit me major Bashkim Spahiun i kam treguar gjithë biografinë time (të cilën atij ia kishin komentuar ndryshe), përvojën time dhe karakterin tim dhe njëherit kam kërkuar arsyen pse kishte kërkuar që unë të mos jem më pjesëtar i kësaj Drejtorie (Drejtorisë së Krimeve Ekonomike dhe Korrupsion)”, thuhet në dokumentin e siguruar nga KALLXO.com i cili është pjesë e një ankese në Standarde Profesionale dhe IPK.

“I njëjti nga sinqeriteti më është drejtuar me fjalët se ju ishit hetues për çdo lëvdatë, kam parë nga afër si keni organizuar dhe hetuar raste dhe më keni lënë përshtypje të mira si një hetues shumë profesional. Mirëpo, arsyeja e tij ishte se kur jam caktuar në këtë drejtori të punoj kam kërkuar nga Drejtori i Përgjithshëm t’i kam duart e lira në ndërrimin e stafit sepse më tha se unë dua t’i sjell njerëzit e mi që unë i njoh dhe kam besim në ta”, vazhdon deklarata  e policit, i cili citon fjalët e eprorit Spahiu.

Disa nga paditë e ish-policëve të Krimeve Ekonomike janë duke pritur të gjykohen nga gjykatat e vendit ndërsa vetë Spahiu nuk ka pranuar të flasë nëse ka pasur qasje ku ka zgjedhur vetëm policët që u zë besë për të punuar e po ashtu pse kishte zgjedhur që familjari i tij të vazhdonte të ishte në njësi e të tjerë të largohen.

Bashkim Spahiu u vu në krye të Drejtorisë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në tetor të vitit 2018.

Që nga ajo kohë, Spahiu për KALLXO.com ka treguar se janë arrestuar pesë hetues policorë të Drejtorisë që drejton.

Bashkim Spahiu ka filluar të punojë në Polici që nga viti 2000, fillimisht si një zyrtar patrullues në stacion policor të Mitrovicës, e më pas duke vazhduar me pozitën e udhëheqësit në njësite të ndryshme në Drejtorinë Rajonale të Policisë në Mitrovicë.

Përgjatë viteve të punës, Spahiu ka pasur edhe pozita të tjera menaxhuese si: komandant i stacionit, në Mitrovicë, Vushtrri, Prishtinë, pastaj shef i Njësisë Speciale Operative në Mitrovicë, shef i Sektorit të Operativës Rajonale, duke vazhduar pastaj për resurse në Drejtorinë Rajonale të Policisë në  Prishtinë, e deri në emërimin e tij si drejtor i Drejtorisë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë në Prishtinë.

KALLXO.com vazhdimisht ka raportuar për arrestimet e fundit në Drejtorinë e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit.

Thellohet skandali në Krimet Ekonomike, arrestohet hetuesi i dytë

Artikulli është edituar tek përmbajtja ka paditur Spahiun në ka paditur Policinë e Kosovës