Gjykata e Apelit, Prishtinë | Foto: Kallxo.com

Apeli e rikthen në krye të Drejtorisë së Krimeve Ekonomike Nazim Sahitin - DOKUMENT

 

Gjykata e Apelit me vendimin e saj, ka vendosur që Nazim Sahiti të rikthehet në pozitën e drejtorit të Krimeve ekonomike në Policinë e Kosovës.

Apeli ka refuzuar ankesën e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Kosovës, ndërsa ka vërtetuar aktgjykimin e shkallës së parë.

Sipas vendimit të Apelit, kjo Drejtori është detyruar që Sahitin ta kthejë në pozitën e mëparshme, Drejtor në Drejtorinë për Hetime, Krime ekonomike dhe Korrupsion.

Gjithashtu kjo Drejtori është detyruar që Nazim Sahitit, t’ia paguajë diferencën e rrogës dhe të gjitha benefitet ligjore në shumë prej 761.80 euro.

Gjykata e Apelit si gjykatë e shkallës së dytë, pas vlerësimit të pretendimeve ankimore lidhur me aktgjykimin e atakuar, ka gjetur se ankesa e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Kosovës është e pathemeltë.

Tutje në vendimin e Apelit thuhet se e paditura në mënyrë të kundërligjshme ka cenuar të drejtat e Nazim Sahitit nga marrëdhënia e punës, kur me vendimin e datës 17.10.2018 “Vendim për sistemim për kohë të pacaktuar” ka risistemuar paditësin nga pozita e drejtorit të Drejtorisë për Hetimin e Krimeve Ekonomike në pozitën e zyrtarit për kontroll të kualitetit në Drejtorinë e Departamentit për Kufi.

Po ashtu, kolegji i Apelit ka vlerësuar dhe pretendimet ankimore përkitazi me çështjen e pagesës së detyrimeve financiare nga e paditura, por gjeti se të njëjtat janë të paqëndrueshme dhe se Gjykata e shkallës së parë drejtë ka vlerësuar lartësinë por edhe besueshmërinë e kësaj kërkese dhe se kërkesa e tillë – implicite rezulton si e bazuar duke pasur parasysh kundërligjshmërinë e vendimit të të paditurës për risistemim të paditësit nga detyrat e mëparshme të punës.

“Për këtë të drejtë ka zbatuar të drejtën materiale, kur ka obliguar të paditurin që paditësit t’ia kompensoj diferencën e të ardhurave personale si pasojë e faktit të paligjshëm, të ndërmarrë nga e paditura, e që ka penguar të njëjtin në realizimin e të ardhurave në lartësinë sikurse paditësi të kishte ushtruar detyrën e drejtorit pranë Drejtorisë së Hetimeve të Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit”, thuhet në vendimin e Apelit.

Gjykata e Apelit me rastin e vendosjes ka vlerësuar dhe të gjitha pretendimet e tjera ankimore, mirëpo të njëjtat pretendime nuk ishin me ndikim për një vendim ndryshe.

Nazim Sahiti ishte larguar nga pozita e Drejtorit të Krimeve Ekonomike më 17 tetor të vitit 2018, ku më pas ishte emëruar në kuadër të Departamentit për Kufi.