Shefi i Krimeve Ekonomike pranon lidhjen familjare me hetuesin e arrestuar

Hetuesi i lartë i Krimeve Ekonomike, Lavdim Osmani është arrestuar në mbrëmjen e djeshme nën dyshimin për marrje ryshfeti.

Në konferencën për media të cilën e ka mbajtur sot Policia e Kosovës, shefi i Krimeve Ekonomike, Bashkim Spahiu, ka pranuar lidhjen familjare që e ka me hetuesin e arrestuar, Lavdim Osmani.

Spahiu ka deklaruar se me Osmanin janë tezakë.

“Është e vërtetë qe me hetuesin Lavdim Osmani që ka qenë target hetimi kam një relacion familjar, prindërit tanë babi im dhe i hetuesit janë fëmijë të dy motrave që ne i thojmë tezak”, është shprehur Spahiu.

Më tej Spahiu ka thënë se kjo nuk do ta zbeh qasjen e tij as të stafit mbikeqyrës për me i hetu këto raste.

Përveç Osmanit, i cili dyshohet se ka marrë ryshfet 1,450 euro, mbrëmjen e djeshme është arrestuar edhe një hetues tjetër i Krimeve Ekonomike. Bëhet fjalë për Lutfi Menxhiqin.

Ndërsa sot është bërë e ditur që janë arrestuar edhe tre persona të tjerë, një zyrtar i lartë i MPB-së, një rreshter dhe një qytetar nga Kaçaniku për pjesëmarrje në aktivitete kriminale.

Arrestohet një zyrtar i MPB-së dhe një rreshter, të dyshuar për aktivitete kriminale