Organizata ACDC publikon raportin “Vlerësimi i gjendjes së gjyqësorit dhe policisë në veri të Kosovës

Publikohet raporti që flet për gjendjen e Policisë e Gjyqësorit pas dorëheqjeve në veri

Organizata joqeveritare “Qendra Avokuese për Kulturë Demokratike” ka prezantuar sot raportin “Vlerësimi i gjendjes së gjyqësorit dhe policisë në veri të Kosovës”.

Në këtë dokument janë prezantuar ndikimi dhe sfidat që kanë ardhur pas dorëheqjeve të qytetarëve serbë të Kosovës nga disa prej institucioneve shtetërore.

Më 5 nëntor te vitit të kaluar më shumë se 500 zyrtarë policorë që i përkisnin komunitetit serb, në mënyrë kolektive dhanë dorëheqje në shenjë pakënaqësie me vendimet e Qeverisë së Kosovës.

Që nga atëherë, Policia e Kosovës ka hapur disa konkurse për plotësimin e numrit të zyrtarëve policorë që do të shërbejnë në veri të vendit.

Një situatë e njëjtë kishte ndodhur edhe me sistemin gjyqësor e prokurorial të Kosovës në pjesën veriore të vendit.

Pjesëmarrës në panelin e kësaj konference ishin Veton Elshani, zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës në Mitrovicën e Veriut,  Lumnije Surdulli nga Gjykata e Mitrovicës së Veriut dhe Dusan Radakovic, drejtor ekzekutiv i ACDC-së.

Në këtë konferencë po ashtu pati edhe pjesëtarë të misionit të NATO-s në Kosovë si dhe qytetarë të tjerë.

Sipas drejtorit të ACDC-së, Radakovic, kjo është hera e parë Policia e Kosovës është pjesëmarrëse në një aktivitet të organizuar në veri.

Radakovic gjatë prezantimit të të gjeturave nga raporti që organizata që udhëheqë publikuan, një nga problemet që ai përmendi është edhe mungesa e noterëve në veri.

Sipas tij, në këto komuna nuk ka asnjë noter serb.

Raporti i ACDC-së tregon po ashtu se numri i rasteve të iniciuara në Policinë e Kosovës në gjysmë vjetorin e parë të 2023-ës, në krahasim me atë të 2022-ës është rritur për 12.3%.

Ky dokument tregon se në korrik të vitit 2023, Policisë së Kosovës në Mitrovicën e Veriut iu bashkuan 74 zyrtarë të rinj policorë. ACDC thotë se nga mesi i muajit gusht deri më tani 9 policë të sapo rekrutuar kanë dhënë dorëheqje.

“Siç thuhet për shkak të deklaratës së Kryeministrit të Kosovës se Policia e Kosovës është vazhdimësi e të ashtuquajturës ‘Ushtria Çlirimtare e Kosovës'” – thuhet tutje në raportin e publikuar nga ACDC.

Lumnije Surdulli nga Gjykata e Mitrovicës së Veriut në këtë konferencë u pyet për sfidat që ka kjo gjykatë nga dorëheqja e personelit serb.

Ajo tha se kanë mungesë të përkthyeseve në këtë gjykatë, e se është vërejtur zbrazëti nga dorëheqja e personelit serb në gjykatën e në degët e saj në veri.

Mirëpo, Surdulli shtoi se punëtorët që kanë mbetur janë angazhuar në punë.

“Jemi të stërngarkuar me punë, jemi angazhuar i gjithë stafi që kanë mbetur. Po mundohemi që të arrijmë që t’i shërbejmë palëve” – tha ajo.

Elshani: Policët e komunitetit serbë që po japin dorëheqje fillimisht po ftohen në Rashkë për takim