Foto: Fatrion Ibrahimi/KALLXO.com

Pse po falsifikohen testet anti - COVID-19 në Kosovë?

Kosova u bë lajm në mediat e Zvicrës për, siç u tha, testet false anti – COVID-19.

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, tha se kjo është pasojë e mënyrës se si janë licencuar laboratorët që bëjnë teste për COVID-19.

Madje, ai tha se janë zbuluar detaje nga auditori i brendshëm në Ministri se laboratorët privatë u licencuan në kundërshtim me ligjin.

“Ne jemi duke paguar një çmim për mënyrën sesi janë licencuar këta laboratorë për të bërë këto testime. Edhe njësia e brendshme e auditimit në Ministri ka konstatuar, edhe shkelje, mund të them por edhe kapërcim të procedurave në raport me mënyrën se si janë bërë licencimet e laboratorëve. Kemi raste kur një laborator është licencuar për dy ose tre ditë. Licencimi i një numri të madh për të bërë këto testime pa kritere paraprake, që një pjesë të tyre e ka konstatuar edhe njësia e brendshme e auditimit në MSh, natyrisht që këto probleme janë para derës”, tha ai në emisionin “Kallxo Përnime”.

Ai tha se do të vazhdojë kontrolli nëpër laboratorët për të parandaluar testet false.

Ndërsa, tha se licencimi i laboratorëve nuk ka ndodhur në mandatin sa ai është ministër.

“Nuk është e vërtetë që nuk e kemi adresuar këtë çështje. Inspektorët e shëndetësisë së bashku me Policinë kanë kontrolluar një numër të madh të këtyre laboratorëve dhe disa nga ta janë ndaluar dhe janë në procedura”, tha ai.

“Ka pasur vazhdimisht raporte dhe kontrolle. Licencimi nuk është bërë në kohën time, edhe unë jam i befasuar se si mund të licencohet një laborator për tre ditë, por këto janë çështje të organeve të drejtësisë”, deklaroi ai.