Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Pse Lumezi e dërgoi kallëzimin penal kundër Blerim Isufajt në Prokurorinë ku ky kishte punuar?

Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, është deklaruar lidhur me faktin që kallëzimin penal të kandidatit për Kryeprokuror te Shtetit, Blerim Isufaj, e kishte dërguar në Prokurorinë e Pejës, ku ky i fundit kishte punuar para disa viteve.

Ai në emisionin “Kallxo Përnime” tha se gjatë kohës së procedurave të konkursit kanë qenë dy kallëzime penale për dy kandidatë.

“Ne i kemi pasur dy kallëzime penale gjatë kohës së emërimit dhe zhvillimit të procedurave për Kryeprokurorin e Shtetit. Njëra për Blerim Isufajn nga Agjencia Kundër Korrupsionit dhe një për Arben Ismailin”, tha ai.

Lumezi shtoi se të dy rastet i ka transferuar në Prokurorinë e Pejës. Sipas tij, kjo u bë për të parandaluar paragjykimin dhe njëanshmërinë.

“Të dy rastet me vendim i kam transferuar, nga Prokuroria Themelore e Prishtinës në atë të Pejës, pasi kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë ka qenë kundërkandidat i Blerim Isufajt dhe më pas do krijohej paragjykim për njëanshmëri”, shtoi Lumezi.

Sipas tij, aryseja pse rasti u bart në Pejë u bë për shkak se ka numër të madh të prokurorëve në Departamente të krimeve të rënda.

Lumezi shtoi se Blerim Isufaj ka punuar në Pejë para 13 viteve ku kryeprokuror i Prokurorisë ka qenë Flamur Kelmendi që sot është në pension.

“Ai ka qenë bashkëpunëtor profesional në Pejë para 13 viteve kur kryeprokuror i Prokurorisë ka qenë Flamur Kelmendi që sot është në pension, asnjë prej tyre nuk është sot në atë Departament që do mund të ndikonte në vendim”, ka thënë Lumezi.

Kryeprokurori i Shtetit bëri të ditur se me kërkesë të tij të dy rastet janë trajtuar shpejt, brenda një jave.

“Lënda është kryer për 7 ditë sepse kërkesa ime ka qenë që të punohet sa më shpejt pasi i njëjti është kandidat për Kryeprokuror të Shtetit. Edhe këtij tjetrit i është shqyrtuar brenda një afati për një javë”, tha Lumezi.