PSD me parulla para institucioneve shtetërore

“Tension për asociacion” dhe “Tension për konsecion”, janë parulla që u vendosën nga Partia Social Demokrate në kuadër të  një aksioni simbolik në hyrje të objekteve shtetërore si Qeveri, Kuvend dhe Presidencë.

Pas këtij aksioni, ka reaguar kreu i PSD-së Dardan Molliqaj që tha se tensionimi i situatës në veri, është racionalja e re e dialogut.

“Tensioni deri në situatë të jashtëzakonshme është racionalja e re e dialogut. Është mënyra e re e koncesioneve. Kur kompromisi bëhet nën tension nuk flitet më për lëshimet, por për rrezikun që i shpëtuam”- ka shkruar Molliqaj.

Sipas Molliqajt, më 21 nëntor rreth çështjes së targave tensioni tejkaloi kufijtë deri në eskalim

“Me 21 nëntor rreth çështjes së targave tensioni tejkaloi kufijtë deri në eskalim. Polici, heronj, sovranitet – dokrra. Me 23 kemi nënshkruar marrëveshje edhe më të dobët sesa ajo e para 2 ditëve. Pas gjithë atij tensioni, në marrëveshjen që nënshkroi Bislimi, e pranuam shtyerjen pa afat të targave, por edhe Asociacionin”- thotë kreu i PSD-së.

Ai shtoi se këto tensione i kanë shërbyer kryeministrit të vendit, Albin Kurti.

“E njëjta gjë ndodhi me zgjedhjet në Veri. Konjufca në Prishtinë fliste për shtyerjen e zgjedhjeve, ndërkohë në Veri me armë zjarri u plagos polici Ekrem Neziri. Nëse zgjedhjet u shtyen, kujt i shërbeu tensionimi. Kryeministrit sigurisht”- theksoi ai.

Më tej, Molliqaj tha se tensionet në veri po shërbejnë si katalizator për Asociacionin.

“Tensionet kaotike, joserioze dhe të pamenduara në Veri e kanë pasur edhe një efekt. Nëse Veriun e vendit e trajton vetëm me hekur dhe kerbaç, ky është argument për formimin e Asociacionit. Kjo mënyrë e Qeverisë e ka unifikuar bashkësinë ndërkombëtare me Serbinë. Tensionet në Veri po shërbejnë si katalizator për Asociacionin”- tha ai.

Sot po bëhen katër ditë që kur grupe të qytetarëve serbë kanë bllokuar rrugët kryesore në Leposaviq, Zveçan e Zubin Potok dhe në këtë mënyrë kanë pamundësuar në tërësi qarkullimin me vetura.

KALLXO.com edhe sot po qëndron në Mitrovicë të Veriut dhe nga atje ju sjell zhvillimet e fundit.

Në Zveçan, barrikada e formuar nga rreth 10 makineri të rënda e autobusë është vendosur në fshatin Rudarë.