PSD dorëzon kallëzim penal për pagesën 5 euro për vetura

Kryetari i Partisë Socialdemokratke, Dardan Molliqaj dhe anëtari i kryesisë, Dren Kukaj, kanë dorëzuar sot kallëzim penal ndaj zëvendësministrit në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Hysen Durmishi.

Sipas PSD-së, ky kallëzim penal është dorëzuar për keqpërdorim të pozitës zyrtare, dhe lidhet me nënshkrimin e marrëveshjes, siç e kanë quajtur ata ‘të dëmshme të tiketave ngjitëse’ me kompaninë “Auto Control Kosova”.

“Nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje, siç e kemi mësuar nga publikimi i saj, është qartësisht zhvatje e parave të qytetarëve të Kosovës në tentim për të krijuar monopol abuziv nga hiçi. Në këtë mes, ministrat e zëvendësministrat e Kurtit, bashkë me të afërmit e tyre, përfitojnë në kurrizin e shumicës që nuk ka”, thuhet në një postim në Facebook të kësaj partie.