Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

PDK dorëzon kallëzim penal ndaj ministrit Murati dhe sekretarit Spahiu për mosekzekutimin e pagave të mësimdhënësve

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka dorëzuar sot kallëzim penal në Prokurorinë Speciale të Kosovës kundër ministrit të Financave, Hekuran Murati dhe ushtruesit të detyrës së sekretarit të kësaj Ministrie, Enis Spahiut, për çështjen e mosekzekutimit të pagave të mësimdhënësve.

Sipas kallëzimit penal pretendohet se ministri Murati dhe sekretari Spahiu kanë bërë shkeljen e statusit të barabartë të shtetasve dhe banorëve të Republikës së Kosovës, kanë cenuar të drejtat në marrëdhëniet e punës, kanë cenuar të drejtën në grevë dhe kanë keqpërdorur pozitën apo autoritetin zyrtar.

Në kallëzimin penal thuhet se pas shpalljes së grevës së përgjithshme nga BSPK janë bërë përpjekje të vazhdueshme për të gjetur zgjidhje me Qeverinë, por kjo e fundit asnjëherë nuk i ka marrë seriozisht kërkesat e SBASHK-ut dhe pasojat nga vonesa e fillimit të vitit shkollor.

Sipas kallëzimit penal të PDK-së thuhet se Qeveria ishte përgjegjëse për situatën e krijuar.

“Pavarësisht përpjekjeve dhe takimeve të shumta me qeverinë, kjo e fundit asnjëherë nuk i mori seriozisht kërkesat e tyre dhe as pasojat nga vonesa e fillimit të vitit shkollor. Në këtë kuptim, qeveria ishte përgjegjëse për situatën e krijuar për shkak të mungesës së gatishmërisë për të lëvizur nga qëndrimi i saj (fillestar), përkundër faktit se SBASHK-u kishte qenë e gatshme për të rishikuar kërkesën e saj për shtesën financiare të kërkuar fillimisht” – thuhet në kallëzimin penal, të publikuar nga deputeti i PDK-së Abelard Tahiri.

Sipas Tahirit pasojat e keqpërdorimit të detyrës zyrtare të ministrit Murati dhe sekretarit Spahiu po i vuajnë mbi 23 mijë mësimdhënës dhe mbi 5 mijë punëtorë administrativë dhe teknikë të shkollave.

Ai ka thënë se Qeveria ka aplikuar standard dhe diskriminim të dyfishtë.

“E para, nuk ua ka ndalur pagën të gjithë pjesëmarrësve të grevës, por vetëm një pjese të tyre dhe e dyta, ua ka ndalur pagën edhe atyre pak mësimdhënësve të cilët në disa komuna e në disa shkolla brenda tyre, i kanë mbajtur orët mësimore dhe nuk kanë qenë pjesëmarrës në grevë” – ka thënë ai.

Tahiri tutje ka njoftuar se në shenjë revolte për mosekzekutimin e pagave nga Qeveria ai ka lëshuar sot mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit të Kosovës.

Kallëzimin penal të PDK-së kundër Muratit dhe Spahiut mund ta gjeni KËTU.