Ilustrim

Rreth 140 kallëzime penale nga Agjencia Kundër Korrupsion në 2021, përfshihen ministra, prokuror dhe gjyqtar

Agjencia Kundër Korrupsionit ka bërë të ditur se ka dorëzuar në Prokurori rreth 140 kallëzime penale gjatë vitit 2021, kundër zyrtarëve publik në Kosovë.

Ndërsa deri në shkurt 2022, sipas AKK-së, janë dorëzuar edhe 43 raste të tjera.

Në këto raste përfshihen ministra, prokurorë, gjyqtarë, sekretarë të përgjithshëm, e deri tek asamblistët e Kuvendeve Komunale.

“Në vitin 2021, Agjencia ka ushtruar rreth 140 kallëzime penale, ndërsa vetëm në muajin shkurt 2022 janë dorëzuar edhe 43 raste në Prokurorinë e Shtetit. Në listën e kallëzimeve penale përfshihen zyrtarë të lartë nga niveli i ministrit, sekretarë të përgjithshëm, prokurorë, gjyqtarë, e deri te anëtarët e kuvendeve komunale”, thuhet në njoftim.

Ditë më parë, Agjencia Kundër Korrupsionit ka njoftuar se ka dorëzuar kallëzim penal kundër kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale të Kosovës, Blerim Isufajt.

Sipas AKK-së, Isufaj dyshohet se ka bërë deklarim të rremë të pasurisë.

Gjithashtu, sot Agjencia Kundër Korrupsionit ka njoftuar se është hapur afati për deklarimin e pasurisë për zyrtarët publik, që fillon nga data 1 mars e zgjat deri më 31 mars 2022.