LVV ushtron kallëzim penal ndaj Drejtorisë së Inspekcionit të Prishtinës

Këshilltarët e Kuvendit Komunal të Prishtinës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Gëzim Sveçla dhe Arianit Beqiri, kanë dorëzuar kallëzim penal në Prokurorinë e Prishtinës ndaj Drejtorisë së Inspekcionit.

Kallëzimi penal është dorëzuar me pretendimet për keqpërdorim të detyrës zyrtare nga inspektorët e Drejtorisë së Inspekcionit.

“Sot, Këshilltarët e Kuvendit Komunal të Prishtinës nga radhët e LVV-së, Gëzim Sveçla dhe Arianit Beqiri, kanë dorëzuar Kallëzim Penal për keqpërdorim të detyrës zyrtare të Inspektorëve të Drejtorisë së Inspeksionit në Komunën e Prishtinës duke mos ndërhyrë në objektin pa leje të Lidhjes Demokratike të Kosovës”, thuhet në njoftim.

Tutje në njoftim është thënë se më 6 prill 2022, LVV kishte mbajtur një konferencë të jashtëzakonshme ku kishin prezantuar refuzimin e lejes nga Komuna e Prishtinës, përkatësisht Drejtoria e Urbanizmit, që ia kishin bërë LDK-së.

“Pavarësisht kësaj, ata sërish kishin ndërhyrë në këtë objekt. Ne, në konferencë paralajmëruam që jemi duke e përgatitur një kallëzim penal. Dy javë më vonë, ndonëse shpresuam se Drejtoria e Inspeksionit do të marrë masa, një gjë e tillë nuk ndodhi, prandaj edhe sot deponuam këtë Kallëzim Penal”, thuhet tutje.

LVV, qendra në Prishtinë, ka thënë se presin nga organet e drejtësisë që të marrin masa ndaj atyre që e keqpërdoren detyrën zyrtare duke toleruar ndërtime pa leje në qendër të qytetit.

Po ashtu në këtë njoftim është thënë se LVV fton LDK-në që të tërhiqet nga kjo traditë e saj, sepse, sipas tyre, po e ngulfat kryeqytetin.

Kallëzimi penal i dorëzuar nga LVV në Prishtinë ndaj Drejtorisë së Inspeksionit
Foto: Lëvizja Vetëvendosje-Qendra e Prishtinës/Facebook
Kallëzimi penal i dorëzuar nga LVV në Prishtinë ndaj Drejtorisë së Inspeksionit Foto: Lëvizja Vetëvendosje-Qendra e Prishtinës/Facebook