Foto: Pixabay

Protesta të dhunshme në Dublin pas sulmit me thikë në afërsi të shkollës

Disa protestues u përleshën me policinë, dogjën vetura dhe plaçkitën dyqanet në Dublin, pasi tre fëmijë u plagosën nga një sulm me thikë në afërsi të një shkolle.

Të pajisur me mjetet për protesta, policia ruajti rrugët e kryeqytetit irlandez ndërsa turmat brohorisnin dhe ndiznin fishekzjarre.

Pranë urës O’Connell, mbi lumin Liffey, zjarri doli nga një makinë dhe një autobus i djegur, ndërsa turmat hynë në dyqane dhe plaçkitën një nga rrugët kryesore tregtare të qytetit.

Këto trazira të cilat po konsiderohen më të rëndat në Dublin ndër vite erdhën pasi një vajzë pesëvjeçare pësoi lëndime të rënda nga një goditje që dyshohet të ketë qenë me thikë, në sheshin Parnell East në veri të Dublinit qendror.

Dy fëmijë të tjerë dhe dy të rritur, në mesin e të cilëve një grua dhe i dyshuari për sulmin, u dërguan në spital pas incidentit, rreth orës 13:30.

Policia e përshkroi sulmuesin si një burrë rreth të pesëdhjetave ndërsa reagimet në mediat sociale për kombësinë e tij nxitën trazirat pas sulmit.

Shefi i policisë, Drew Harris, fajësoi një “grup të çmendur të drejtuar nga ideologjia e ekstremit të djathtë” dhe bëri paralajmërime kundër “dezinformatave”.

Ai tha se pas këtyre trazirave janë arrestuar 34 persona.

“Në përgjithësi kemi 34 persona të arrestuar, 32 prej të cilëve do të dalin para gjykatës këtë mëngjes”, tha Drew Harris në një konferencë për media.

Disa protestues mbanin pankarta ku shkruhej “Jetët irlandeze kanë rëndësi” ndërsa valëviteshin flamuj irlandezë nëpër një lagje në të cilën banon një komunitet i madh emigrantësh./REL