Sulm me thikë në Kinë, gjashtë persona të vrarë

Gjashtë persona janë vrarë dhe një është plagosur si pasojë e një sulmi me thikë herët në mëngjes në një kopsht fëmijësh në qytetin Lianjiang, provincën Guangdong në Kinën jugore.

Një 25-vjeçar është arrestuar lidhur me incident fatal thuhet në një deklaratë nga policia lokale.

Viktimat përfshinin një mësues, dy prindër dhe tre fëmijë, raportoi AFP, duke cituar një zëdhënës të qeverisë lokale.

Sulmet ndaj nxënësve të shkollës kanë qenë një problem i vazhdueshëm në Kinë për shumë vite. Mbi një dekadë më parë, kryeministri i atëhershëm i Kinës Wen Jiabao doli në TV pas një mori sulmesh të ndodhura, për të premtuar siguri më të mirë në shkolla dhe përpjekje për t’i trajtuar problemet themelore.

Sulmet kanë vazhduar dhe shpesh shkaktojnë zemërim masiv, megjithëse ligjet e rrepta të kontrollit të armëve nënkuptojnë se sulmuesit zakonisht mbajnë thika ose eksplozivë të bërë vetë.

Sulmi i së hënës ishte tema më e shikuar në faqet e internetit të mediave sociale kineze, me mbi 220 milionë shikime në mes të ditës./The Guardian

Përgatiti: Nuhi Shala