Një ditë pas protestës, PSD: Përdorëm vetëm mjete piroteknike

Një ditë pas protestës së Partisë Socialdemokrate me tym e arrestime, për të kundërshtuar vizitën e kryetares së Dhomave të Specializuara të Kosovës në Prishtinë, Ekaterina Trendafilova, PSD ka kërkuar lirimin e gjashtë aktivistëve të saj që u arrestuan të mërkurën.

Dren Kukaj, anëtar i kryesisë së PSD-së në një konferencë për media të enjten tha se është e papranueshme që “opozitarët të jenë në burg.”

“Gjashtë aktivistë tanë dje janë arrestu dhe sot janë në burg për arsyen e vetme, sepse kanë protestu…Prej këtu kërkojmë që ata të lirohen në procedurë të rregullt, sepse është krejtësisht e papranueshme edhe është keq për Kosovën që mbi baza të tilla, opozitarët të jenë në burg” – tha ai.

Sipas tij, të arrestuarit, nuk kishin përdorur as armë gjatë protestës.

“Ajo çka është përdorur prej anës së protestuesve dje, nuk përbëjnë armë. Ajo që është përdorë dje quhen mjete piroteknike” – tha tutje ai.

Anëtarë të kësaj partie, të cilët dje kishin protestuar me mjete tymuese kundër vizitës së kryetares së Gjykatës Speciale, Ekaterina Trendafilova, janë shprehur se arrestimi i tyre ishte i padrejtë dhe në kundërshtim me ligjin.

“Për ta akomoduar një kryetare të një gjykatë të padrejtë, pushteti dje sulmoi gjithsecilin që ishte në protestë duke mos i kursyer as gazetarët të cilët ishin duke mbuluar ngjarjen”- tha Donjeta Demolli nga kjo parti.

Tutje Kukaj, tha se  disa prej armëve që ishin marrë dje si prova,  ishin përdorur nga policia dhe jo nga protestuesit.

“E kemi parë se kur është bërë ekzaminimi i protestës prej mjeteve forenzike që si prova janë vendosë edhe bombolat e gazit, pra bombolat e gazit që kanë qenë dje në protestë i kemi pa të identifikuar si prova që janë përdorë prej anës së njësiteve të Forenzikës…bombolat e gazit kanë qenë të përdorura prej anës së policisë kundër protestuesve që kanë qenë dje në protestë”.

Ndërkaq, Policia e Kosovës në raportin 24-orësh ka konfirmuar se të arrestuarit janë dërguar në mbajtje, ndërsa rasti është cilësuar si përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm.

“Janë arrestuar gjashtë (6) të dyshuar […], të cilët gjatë mbajtjes së protestës në shenjë kundërshtimi të vizitës së kryetares së Gjykatës së Dhomave të Specializuara, kanë hedhur mjete plasëse-tymuese në drejtim të zyrtarëve policorë. Me vendim të prokurorit të dyshuarit pas intervistimit janë dërguar në mbajtje”- thuhet në raportin policor.