Prokuroria Speciale nis grumbullimin e informacioneve për dy kosovarët që u nisën drejt Ukrainës

Prokuroria Speciale në Kosovë ka nisur tashmë grumbullimin e informacioneve për dy kosovarët të cilët pretendohet se janë nga Suhareka dhe janë nisur drejt Ukrainës për të luftuar.

Në një bisedë telefonike, Kryeprokurori Special, Blerim Isufaj tha për KALLXO.com se tashmë ka nisur puna për këtë çështje.

“Ne kemi me e trajtu së pari faktin se a është e vërtet apo jo, mirëpo në këtë fazë nuk mundemi me thanë asgjë”, tha Isufaj duke shtuar tutje se Ligji në Kosovë ndalon pjesëmarrjen e qytetarëve kosovar në luftëra të huaja.

“Ligji e ndalon pjesëmarrjen”, u përgjigj shkurt Isufaj.

Policia e Kosovës e ka konfirmuar për KALLXO.com  se janë duke grumbulluar informacione për këtë rast.

“Ju njoftojmë se njësia relevante e Policisë së Kosovës është në fazën e grumbullimit dhe verifikimit të informacionit në fjalë, dhe bazuar në kodin e procedurës penale do të bashkëpunohet me prokurorinë përkatëse lidhur me këtë çështje”, kanë thënë nga Policia e Kosovës/

Dy kosovarë pretendojnë se ishin nisur drejtë Ukrainës për t’iu bashkangjitur ushtrisë ukrainase e cila tash e disa ditë është në luftë me Rusinë.

Siç kanë raportuar mediat të njëjtit nuk kanë arritur që të futen në Ukrainë dhe janë kthyer mbrapsht.

KALLXO.com ka biseduar para disa ditësh me deputetë të Kuvendit të Kosovës, anëtarë të Komisionit Parlamentar për Siguri, të cilët nuk e kanë përjashtuar mundësinë që Ligji që parandalon qytetarët kosovarë të marrin pjesë në luftëra të huaja, të ndryshohet.

Disa shtete evropiane kanë lejuar qytetarët e tyre që në rast se dëshirojnë, mund t’i bashkohen ushtrisë ukrainase në luftë me Rusinë.

Madje edhe presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskiy, kishte bërë thirrje publike për të gjithë shtetasit e huaj që janë “miq të paqes dhe demokracisë” që të udhëtojnë në Ukrainë dhe të luftojnë krahë ushtrisë ukrainase kundër Rusisë.

https://kallxo.com/lajm/a-duhet-te-ndryshohet-ligji-qe-ndalon-kosovaret-te-marrin-pjese-ne-luftera-jashte-vendit/