Pamja pas reshjeve të borës në Rugovë, Foto: Fatos Lajçi

Prokuroria e Pejës i reagon Faton Pecit: Kemi ngritur 20 aktakuza për ndërtimet në Rugovë

Zëvendës-kryeprokurori në Prokurorinë Themelore në Pejë, Ersan Qavolli i ka reaguar ministrit të Bujqësisë, Faton Peci në lidhje me reagimet e këtij të fundit për ndërtimet në fshatin Stankaj të Rugovës.

Gjatë mbledhjes së Këshillit Prokurorial të Kosovës, prokurori Qavolli ka njoftuar se janë ngritur 20 aktakuza për veprën penale të ndërtimeve pa leje, e që lidhen me rastin që ishte potencuar nga ministri i Bujqësisë, Faton Peci, ditë më parë.

Prokurori Qavolli, këtë deklarim e bëri lidhur me rastin kur Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci, më 22 gusht 2023, kishte njoftuar se ka marrë vendim për lirimin e të gjitha pronave në fshatin Stankaj të Rugovës, ku ka pasur ndërtime të jashtëligjshme.

“Vetëm për vendin ku është potencuar nga ministri Peci, ne kemi ngritur për të gjitha rastet 20 aktakuza për veprën penale të ndërtimeve pa leje, pretendimet e shfaqura në media nuk qëndrojnë” – theksoi prokurori Qavolli.

Bëhet fjalë për 25 vila në pronën e Institutit Bujqësor të Kosovës me seli në Pejë.

Sipas Pecit, një vit më parë, ai si ministër kishte bërë denoncim publik për “njërin prej rasteve të abuzimit më flagrant me pronën shtetërore”.

Megjithatë, i njëjti kishte shtuar, që nga atëherë instancat e drejtësisë, me theks të veçantë prokuroria e shtetit, nuk i kishte ndërmarrë veprimet e duhura.

“Përkundër që i kemi ndërmarrë të gjitha veprimet administrative, një veprim i tillë nuk është shoqëruar edhe me ndërmarrjen e veprimeve nga instancat e drejtësisë, me theks të veçantë nga prokuroria e shtetit por si duket kjo pritje jonë ka qenë e kotë” – kishte deklaruar ministri Peci në një video të postuar në profilin e tij në Facebook.

Tutje, prokurori Qavolli deklaroi se Prokuroria Themelore në Pejë ka ngritur edhe 429 aktakuza të tjera për rastin e ndërtimeve pa leje në Bjeshkët e Rugovës.

“E keni parë kohën e fundit që kanë qenë disa reagime për ndërtimet pa leje në një fshat të Bjeshkëve të Rugovës, ne si Prokurori nuk kemi qëndruar duarkryq në raport me ato raste, lidhur me ndërtimet pa leje ne kemi ngritur gjatë periudhës 429 aktakuza” – tha prokurori Qavolli.