Prokuroria aprovon kërkesën e familjes për rivarrosjen e Liridona Ademajt në fshatin e lindjes

Të hënën do të rivarrozet trupi i Liridona Ademajt, në fshatin e saj të lindjes Rracaj në Gjakovë, më aprovim të prokurores së rastit.

Rivarrimi i saj ishte kërkuar nga familja e Ademajt. Rivarrimi do të bëhet nga ora 14:00.

Zëdhënësja e Prokurorisë Themelore të Prishtinës, Laureta Ulaj ka thënë për KALLXO.com se familja e Liriodna Ademajt ka kërkuar të respektohet privatësia gjatë rivarrimit.

“Ju njoftojmë se prokurorja e rastit ka aprovuar kërkesën e familjarëve të së ndjerës për zhvarrosjen dhe rivarrosjen e trupit në fshatin e tyre”.

“Gjithashtu, iu bëjmë apel që të tregoni konsideratë karshi familjarëve të viktimës, lidhur me shkrimet e publikuara ndaj kësaj çështjeje, kjo pasi ka qenë kërkesë e vetë familjarëve të viktimës tek organet e hetuesisë, meqenëse në këto çaste janë duke përjetuar momente të vështira dhe kërkojnë të respektohet e drejta e privatësisë edhe gjatë procedurës së rivarrimit të trupit të viktimës” – ka thënë Ulaj.

Liridona Murseli, 30-vjeçare, është vrarë të mërkurën, më 29 nëntor, në rrugën “Dalip Alshiqi” në Prishtinë. Fillimisht, Policia e Kosovës, e ka raportuar rastin si “grabitje me pasoja të vrasjes”.

Dy ditë më vonë, më 1 dhjetor, Policia ka njoftuar për arrestimin e dy personave të dyshuar: dorasin G. P. dhe Naim Murselin, bashkëshortin e viktimës, të dyshuar për vrasjen e saj.

Më vonë, Ministria e Mbrojtjes e Kosovës, ka konfirmuar se i dyshuar i tretë në këtë rast është edhe K.K., pjesëtar i Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Të tre të arrestuarve për këtë rast, të dielën iu caktua masa e paraburgimit prej 30 ditëve.

Një muaj paraburgim për tre të dyshuarit për vrasjen e Liridona Ademaj-Murselit