Rrëfimi për vrasjen: Një muaj pas lindjes gruaja u vra me shufër metali

Nuhi Mavrovqanit është në mesin e të dënuarve të pakët në Kosovë që është dënuar me burgim të përjetëshëm.

Burri Berivojca e Kamenicës u dënua për vrasjen mizore të gruas së tij në korrik të këtij viti.

Një muaj pasi kishte lindur vajzën gruaja ishte rrahur me një shufër hekuri nga bashkëshorti i saj.  Ngjarja tragjike kishte ndodhur në sy të fëmijëve të tjerë të familjes ndërsa dorasi nuk e kishte problem të largohej në qetësi nga vendi i ngjarjes.

Në një rrëfim ekskluziv prokurori Arben Ismali ka rrëfyer momentet e para kur arriti në vendin e krimit.

“ Në dhomën e ndenjës e kemi gjetur viktimën e gjakosur shenjat e gjakut kanë qenë gjithandej që dëshmonte një vrasje mizore” rrëfen prokurori. Ai tregon se afër vendit kishin zbuluar edhe shufrën me të cilën viktima ishte goditur ndërsa nga familjarët kuptuan se tërë ngjarja ishte ndjekur edhe nga fëmijët e qiftit të cilët ishin në shtëpi ditën kur është kryer krimi.

“I pandehuri ka deklaruar se edhe fëmijët kanë qenë në një dhomë tjetër por pas aktit ai e ka thirrë vëllain dhe nënën e tij për mi marrë fëmijët dhe ju ka tregu që ka vdekur tani e ndjera. Kanë shku me pa por nuk i kanë leju familjarët me hy brenda për ta parë se çka ka ndodhur”, thotë tutje Ismajli.

Në intervistat në prokurori vrasja që tronditi Gjilanin kishte një shpjegim banal, viktima nuk ja kishtë përgaditur me kohë ushqimin dorasit.

Në shpalljen e gjykimit Gjykatësi Zyhdi Haziri i kujtoj të pandehurit se kjo ishte një rrethanë rënduese për të pasi në kohën e paslindjes gruaja do duhej të ishte ndihmuar e jo ti kërkohej të punonte.

Ngjarja e rëndë kishte një të kaluar me konflikte në mes qifiti. Dorasi i shpallur fajtor nga gjykata e shkallës së parë më herët ishte dënuar për sulm ndaj gruas dhe disa vepra të tjera penale. Dosja e lëndës tregon se në paraqitjet në polici dhe prokurori Mavrovqani kishte mohuar fajsinë duke thënë se ngjarja kishte ndodhur nën afekt dhe ai nuk e kishte menduar.

“Dashjen e kemi vërtetuar nga fakti që edhe në polici edhe në prokurori në prezencën e mbrojtësit të tij thotë se për shkak të mosmarrëveshjes me të nderën ka dalë në oborr e ka marrë shufrën të metalit gyp të hekurit dhe është kthyer përsëri në dhomën ditore dhe e ka goditur në kokë” tregon prokuror.

Mavrovqani është njëri nga njerëzit e pakët të dënuar me burgim të përjetëshëm.

Vepra e tij ngjalli reagime të mëdha nga organizatat e të dretjave të njeriut por edhe nga qytetarët.

Dhuna në familje vlerësohet të vazhdoj të jetë problematike sidomos numri i rasteve të pa raportuara.

“Kemi apeluar që kushdo që e konsideron vetën se është e dhunuar apo ka dhunë në familje të lajmëroj institucionet përkatëse policinë, prokurorinë dhe kërkoj nga to që të kenë besime në këto institucione në mënyrë që ne sa ma herët t’i shpëtojmë dhe të mos ndodhin raste të këqija sikur rasti që ka ndodhur”,porositë prokurori  Ismajli.

KALLXO.com kishte raportuar që nga fillimi i kësaj ngjarje e deri te vendimi përfundimtar i gjykatës në Gjilan e cila e dënoi Nuhi Mavrovqanin me dënim me burg të përjetshëm.