Programi presidencial i Bujar Osmanit për Maqedoninë e Veriut

Kandidati i BDI-së për president të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani ka renditur prioritetet të cilat do t`i realizoj nëse zgjedhet në këtë pozitë.

Ai në emisionin #KallxoPërnime, tha se Vetingu është i pari të cilin do ta realizoj në Maqedoni të Veriut.

“Kryesorja është vetingu me bord ndërkombëtar për të gjithë bartësit e pozitave publike, kryesorja këtu” – tha Osmani.

Në pyetjen se a do të pranojnë prokurorët e gjykatësit vetingun, tha se kjo do të bëhet obligative.

“Do të pranojnë me doemos sepse do të behet me ligj. Ligj i cili do të bëhet i obligueshëm për gjithë sistemin” – tha tutje Osmani.

“Ne kërkuam veting gjithë sistemit edhe atë politik por BE ishte kundër, na rekomanduan dhe thanë që Maqedonia e Veriut e ka një bërthamë sa do kudo të shëndoshë në sistem. Pasi që pati problem Shqipëria me vetingun. Këtu dalim edhe publikisht që edhe nëse del BE kundër vetingut. Ne do t`i bindim me të gjitha argumentet tona se për të bërë një kthim në luftën kundër korrupsionit neve na duhet kjo” – shtoi tutje ai.

Ai në këtë intervistë e pranoi se veturat e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut, furnizohen me karburante nga një kompani ruse, pasi sipas tij ofertuesi më i lirë fiton tenderin.

“Ministria e Punëve të Jashtme i ka 5-6 vetura dhe blen karburante për ato vetura, në një procedurë të tenderit fiton ai që është më i liri. Nuk ka mekanizma ligjor që e përjashton ofertuesin në bazë të prejardhjes” – tha Osmani.

Zgjedhjet presidenciale dhe ato parlamentare në Maqedoninë e Veriut do të mbahen më 24 prill dhe 8 maj 2024.