Foto-ilustrim

Prishtinë, vetura godet dy këmbësorë, Policia po e trajton rastin si vrasje në tentativë

Dy persona janë goditur në orët e hershme të mëngjesit të sotëm nga një veturë.

Rasti ka ndodhur në rrugën “Dervish Çollaku” në Prishtinë.

Në media po qarkullojnë pamje të momentit kur vetura me shpejtësi të madhe i godet dy këmbësorë.

Policia e Kosovës rastin po e trajton si vrasje në tentativë dhe është në kërkim të të dyshuarit.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Agron Borovci, ka thënë për KALLXO.com se dyshohet se vetura është me targa të huaja.

“Aktualisht Policia ka ngritur dyshimet për një veturë të dyshuar me targa të huaja, ndërkaq po vijon puna policore për identifikimin dhe lokalizimin e të dyshuarit kryesor”- ka thekuar ai.

Ai ka thënë se ngjarja ka ndodhur rreth orës 4:00 në rrugën “Dervish Çollaku” në Prishtinë.

“Menjëherë pas marrjes së informatës Policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe nga informacionet e para është bërë e ditur për dy persona të lënduar të cilët kanë marrë trajtimin e nevojshëm mjekësor. Ndërlidhur me ngjarjen me autorizimin e prokurorit të shtetit, policia  ka iniciuar një hetim në drejtim të veprës penale – vrasja në tentativë”- ka thënë ai.