Ilustrim

Prishtinë - Burri dyshohet se kanosin gruan, kjo e fundit vendoset në strehimore

Policia e Kosovës ka njoftuar për disa raste të dhunës në familje në disa qytete të Kosovës.

Sipas policisë në Prishtinë janë bërë dy kanosje përmes telefonit.

Më datën 25 shkurt është arrestuar një person i cili e ka kanosur përmes telefonit një grua.

“Lidhur me rastin viktima është vendosur në strehimore, ndërsa me vendim të prokurorit, i dyshuari dërgohet në mbajtje” – thuhet në njoftim.

Kurse më 27 shkurt një grua ka raportuar në polici se një person përmes telefonit e ka kanosur të njëjtën.

“Lidhur me rastin është informuar edhe prokurori, ndërsa njësitet policore janë duke hetuar rastin” – thuhet në njoftim.

Po ashtu në Lipjan është arrestuar një person i cili kishte sulmuar fizikisht një grua.

“Si pasojë e sulmit viktima ka pësuar lëndime trupore për çka dhe është dërguar në tretman mjekësorë. Me vendim të prokurorit, i dyshuari është liruar, ndërsa rasti vazhdon në procedurë të rregullt” – thuhet në raport.

Në Suharekë është arrestuar një person i cili ka ushtruar dhunë psikike ndaj një gruaje.

Viktima sipas policisë ka refuzuar tretmanin mjekësor, ndërsa i dyshuari pas intervistimit, me urdhër të prokurorit është dërguar në mbajtje.

Arrestime ka pasur edhe në Pejë. Sipas policisë një person ka ushtruar dhunë fizike ndaj një gruaje.

“Me vendim të prokurorit kujdestar të dyshuarit i është caktuar masa e ndalimit policor” thuhet në njoftim.

Edhe në Gjakovë janë raportuar dy raste të dhunës në familje.

“Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi që i njëjti ka shkaktuar dhunë psikike ndaj dy viktimave femra kosovare. Me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje” – thuhet në njoftim.

Në Gjakovë është arrestuar një burrë i cili e kishte sulmuar fizikisht gruan.

Policia ka njoftuar se viktima është dërguar në strehimore, ndërsa me vendim të prokurorit, i dyshuari është liruar dhe rasti vazhdon në procedurë të rregullt.