Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Prioritetet e kandidateve për asambliste në Skenderaj

Kandidatet për asambliste në Kuvendin Komunal të Skenderajt, në Debat Pernime kanë prezantuar prioritetet e tyre në rast se marrin mandat nga zgjedhjet e 17 tetorit.

Kandidatja për asambliste Blerona Mala nga Iniciativa Qytetare për Skenderajn ka theksuar se do të ketë prioritet arsimin.

“Unë përpara do të shtyjë punët në lidhje me Drejtorinë e Arsimit, për të përkrahur më shumë studentët të cilët nuk kanë pasur mundësi financiare. Këto mundësi nuk i kam pasur as unë, pasi kam studiuar në dy fakultete. Kam kërkuar përkrahje edhe nga kryetari aktual, por asnjëra nuk është pranuar. Kam kërkuar edhe një laptop për të cilin kisha nevojë”, tha ajo, duke shtuar se do të përkrahë edhe gratë.

Ndërkaq, Dorarta Ndreshaj nga radhët e AKR-së është shprehur se do të vazhdojë që edhe në këtë mandat të shtyjë përpara projekte që përfshijnë infrastrukturën, kulturën, rininë, sportin, funksionalizimin e Repartit të Gjinekologjisë.

“Do të jem afër që të ju ndihmojmë me fonde pensionistëve të cilët janë harruar plotësisht nga shteti, nënave vetëushqyese, nënave dhe fëmijëve të cilët kanë dhunë në familje. Gjithashtu do të angazhohem edhe në arsim, që të kemi çerdhe pulbike edhe në bashkësi lokale”, tha ajo mes tjerash.

Në anën tjetër, kandidatja për asambliste, Vjollca Ramadani nga LVV-ja ka thënë se do të garojë për mandatin e dytë.

“Me iniciativën time, sot gratë e Skenderajt, nënat lehona i marrin nga 100 euro për çdo lindje. Gjatë mandatit të ardhshëm do të angazhohem me theks të veçantë te gratë dhe rinia. Platfoma e LVV-së parasheh që në cdo bashkësi lokale të ketë çerdhe, ndriçim publik si dhe trotuare. Prioritet për mua do të jetë që të fillojmë me organizimin e transportit publik ”, tha ndër të tjerash ajo.

Në DebatPernime është kandidati për kryetar të komunës së Skenderajt: Sokol Halili nga Iniciativa Qytetare për Skenderaj.

Të ftuar në debat kanë qenë edhe Bekim Jashari – kandidat i pavarur dhe Fadil Nura nga PDK por të njëjtit nuk kanë pranuar të jenë pjesë e debatit.

Përballë kandidatit për kryetar të komunës do të jenë edhe kandidatet për asambliste në Kuvendin Komunal të Skenderajt: Vjollca Ramadani nga LVV; Dorarta Ndreshaj nga AKR dhe Blerona Mala nga Iniciativa Qytetare për Skenderaj.

Debati transmetohet në orën 20:30 në RTV Dukagjini dhe drejtpërdrejt në Facebook të KALLXO.com.