Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Pretendohet që menaxhmenti i MPJ-së ka ndërruar cilindrin e derës së zyrës së Agron Malokut duke ia pamundësuar qasjen e tij në zyre

Shoqata Sindikale e Anëtarëve të Shërbimit të Jashtëm të Republikës së Kosovës (SHSASHJ) përmes një postimi ka pretenduar se menaxhmenti i Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe të Diasporës në mënyrë të dhunshme ka hyrë në zyrën e Kryetarit të Shoqatës Sindikale, Agron Maloku duke e ndërruar cilindrin e derës.

Me këtë veprim është thënë se Malokut i është pamundësuar qasja në zyrën e tij, në arkivin, vulën dhe dokumentacionet tjera të Shoqatës të krijuara vite me radhë që nga themelimi saj në mars të vitit 2017.

“Pas largimit të kryetarit të Shoqatës Sindikale, në kundërshtim me legjislacionin në fuqi, sot më datë 28 shtator 2022, menaxhmenti i MPJD-së në mënyrë të dhunshme ka hyrë në zyrën e Kryetarit të Shoqatës Sindikale z. Agron Maloku” –  thuhet në njoftim.

Kjo është cilësuar nga ana e SHSASHJ-së si cenim i së drejtës për organizim sindikal brenda MPJD-së.

“Këto veprime sistematikisht bien ndesh me parimet e kushtetutshmërisë, ligjshmërisë dhe imunitetit sindikal” – është thënë në njoftim.

Tutje u tha se Shoqata Sindikale shpreh shqetësimin e saj lidhur me këtë incident dhe njëkohësisht u tha se çdo lëshim eventual i ndonjë dokumenti në emër të Shoqatës Sindikale konsiderohet si keqpërdorim nga zyrtarët përgjegjës për ndërmarrjen e këtij veprimi të kundërligjshëm.

“Me këtë akt të turpshëm dhe kundërligjor, menaxhmenti i MPJD-së është duke e thelluar kundërligjshmërinë dhe konsumuar dhe kryer vepra penale të inkriminuara me legjislacion penal në Republikës e Kosovës” – thuhet tutje.

Shoqata Sindikale i ka bërë thirrje Policisë së Kosovës dhe Prokurorisë së Shtetit që të ndërmarrin urgjentisht veprimet në drejtim të hetimit të rastit dhe ndjekjes penale të autorëve të këtij veprimi kundërligjor.

KALLXO.com ka dërguar pyetje në adresë të MPJD-së për t’i pyetur në lidhje me këto pretendime.