Pretendimi për përdorimin e mjeteve amerikane nga grupi i Radoiçiq, SHBA-ja po e shqyrton këtë çështje

Dy automjete ushtarake, të llojit ‘HUMVEE’, të cilat u përdorën nga grupi terrorist që kreu sulme mbi Policinë e Kosovës më 24 shtator 2023, nga Policia e Kosovës po pretendohet se janë automjete të ushtrisë së Serbisë.

Drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, deklaroi më 1 tetor 2023, se në pamjet që kanë siguruar të datës 20 shtator, tri ditë para sulmit, grupi terrorist serb ka stërvituar me automjete HUMVEE.

Njëra nga këto automjete, më vonë u konfiskua nga Policia e Kosovës.

Para disa muajve por edhe para disa vitesh, Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kishin dhënë donacion disa lloje të automjeteve HUMVEE për Serbinë.

Një zëdhënës i Departamentit Amerikan të Shtetit ka thënë për KALLXO.com se janë duke e shqyrtuar nëse këto lloj automjete që i posedonte grupi terrorist janë nga ato që i kanë dhuruar donacion.

“Shtetet e Bashkuara e marrin seriozisht çdo pretendim që përfshin pajisje të ofruara nga SHBA kudo në botë. Ne jemi duke e shqyrtuar këtë çështje” – thuhet në përgjigjen e Zyrës për Media të Departamentit të Shtetit.

Përvec në Departamentin Amerikan të Shtetit, KALLXO.com ka dërguar pyetje edhe te Ambasada e Amerikës në Prishtinë dhe te ajo në Beograd, më 2 tetor 2023.

Drejtori i Policisë, Gazmend Hoxha së bashku me ministrin e Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla në një konferencë për media më 1 tetor publikuan pamje nga droni të ushtrimeve të grupit terrorist në një hotel në Kopaonik të Serbisë.`

Nga këto pamje, Hoxha përshkroi automjetet ‘Hummve’ gjatë luftimit të stimuluar nga grupi terrorist.

“Nga pamjet shihet se grupi ka pasur në përdorim të automjeteve të blinduara HUMVEE që janë në posedim të forcave ushtarake dhe speciale të Policisë së Serbisë”. Këto pamje po ashtu të datës 20 shtator 2023 janë vazhdim i pamjeve paraprake ku vërehet se automjeti luftarak (HUMVEE) ka ndaluar. Në vijën e parë shihet se ka inskenime/luftime ndërmjet gupeve . Vërehet se (HUMVEE) është duke mbështetur vijën e parë ndërsa luftimet e stimuluara nga grupi nën mbështetjen e (HUMVEE), janë duke shkëmbye zjarre. Si pjesë e këtij ushtrimi ushtarak të grupit terrorist vërehen edhe automjete (HUMVEE) dhe dyshohet se njeri nga automjetet e konfiskuar nga Policia e Kosovës në sulmin terrorist të datës 24 Shtator 2023 është përdorur në të njëjtin ushtrim” – kishte thënë Hoxha në konferencë për media.

Më 23 korrik 2023, Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë dorëzuar ushtrisë serbe 66 automjete të blinduara Humvee (HMMËV – High Mobility Multiopurpose Ëheeled Vehicle), të blera përmes një kontrate tregtare me kompaninë amerikane “AM General”, kishte raportuar “BBM”.

Në vitin 2012 dhe 2017, SHBA-ja i ka dhuruar ushtrisë serbe gjithsej 40 automjete të këtij lloji.

Humvee është një mjet luftarak shumëfunksional i blinduar, i cili përdoret nga shumë ushtri në botë dhe pothuajse të gjitha formacionet në Serbi. Për shkak të mbrojtjes relativisht të dobët të blinduar, Humvee përdoret kryesisht në njësi speciale ose ushtarako-policore, si dhe për pjesëmarrje në operacionet paqeruajtëse.

Në vitin 2019 edhe Kosova kishte marrë si donacion 27 automjete ushtarake të njëjta (Humvee) nga SHBA-ja.

Sulmi në veri

Policia e Kosovës u sulmua me 24 shtator në një pritë nga një grup terrorist, derisa po shkonte për të kontrolluar bllokimin e një rrugë pranë një ure në Banjskë të Zveçanit, e ku mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku.

Sulmuesit terroristë u strehuan në manastirin e fshatit ku e vazhduan konfrontimin me policinë dhe si pasojë, tre prej tyre u vranë.

Policia e Kosovës e gjeti dhe konfiskoi një arsenal armësh pas sulmit.

Pesë ditë pas sulmit, përgjegjësinë për organizimin e sulmit e mori Millan Radoiçiq, nënkryetar i deritashëm i Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve në Kosovë.

Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, tha se Radoiçiq nuk ka vepruar i vetëm siç ka thënë, por i mbështetur nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Ai shtoi se hetimet e deritashme kanë treguar si “mbi 80 terroristë” kanë qenë të përfshirë në sulmin në Banjskë.

Ndërkohë, NATO-ja njoftoi të premten se ka miratuar forca shtesë për t’i dislokuar në veri të Kosovës – zonë e banuar me shumicë serbe – për shkak të rritjes së tensioneve.

Serbia e ka mohuar përfshirjen në këtë sulm të cilësuar si terrorist nga autoritetet kosovare.

Milan Radojçiq u ndalua më 3 tetor nga autoritetet serbe.