Takimi i presidentes Vjosa Osmani me Jeffrey Hovenier dhe Colleen Hyland, Foto: Presidenca e Kosovës

Presidentja Vjosa Osmani u takua me ambasadorin e SHBA-së dhe atë të Gjermanisë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka takuar të premten ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier,  dhe atë të Gjermanisë, Jörn Rohde.

Me të dy ambasadorët, sipas komunikatave të Presidencës, Osmani ka biseduar për zhvillimet e fundit në vend.

Në takimin me ambasadorin amerikan ka marrë pjesë edhe drejtoresha për Europën Jugore dhe Qendrore në Departamentin amerikan të Shtetit, Colleen Hyland.

Takimi i presidentës Osmani me Jeffrey Hovenier dhe Colleen Hyland, Foto: Presidenca

‘’Në takim, Presidentja Osmani bisedoi për zhvillimet e fundit në vend, si dhe u fol për format konkrete të avancimit të partneritetit e bashkëpunimit me Shtetet e Bashkuara të Amerikës’’ – thuhet në komunikatën e Presidencës.

Kurse, në takimin me ambasadorin gjerman Rohde, Osmani ka diskutuar edhe për mundësitë e thellimit tutje të bashkëpunimit Kosovë-Gjermani.

Takimi i presidentës Osmani me ambasadorin gjermna Jörn Rohde, Foto: Presidenca

‘’Në takim u diskutua për pjesëmarrjen e Kosovës në COP28, konferencën kryesore globale për ndryshimet klimatike, si dhe hapat tutje pas kësaj pjesëmarrjeje historike të Republikës së Kosovës në nivel të kreut të shtetit. Në këtë frymë, ambasadori Rohde shprehu gatishmërinë e Gjermanisë për të vazhduar mbështetjen për Kosovën në arritjen e objektivave që kontribuojnë në adresimin e sfidave klimatike në vend’’ – ka njoftuar Presidenca.